Fatih Hafız Mehmet
27 Gusht 2019•Përditësim: 28 Gusht 2019
Grupi i shtatë ekonomive më të fuqishme (G7) bëri thirrje të hënën për konferencë ndërkombëtare, në të cilën do të ulen të gjitha palët dhe aktorët rajonalë të rëndësishëm të konfliktit në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vetëm një zgjidhje politike mund të sigurojë stabilitetin e Libisë, thanë udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas përfundimit të samitit të G7 në Biarritz të Francës.
"Ne bëjmë thirrje për një konferencë ndërkombëtare të përgatitur mirë në të cilën do të ulen të gjitha palët dhe aktorët rajonalë të rëndësishëm të këtij konflikti", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu theksohet se G7 mbështet punën e OKB-së dhe Unionit Afrikan për të organizuar një konferencë ndër-libiane.
Sa i përket Iranit, deklarata kërkon të sigurohet që Irani kurrë të mos bëhet me armë bërthamore për të inkurajuar paqen dhe stabilitin në rajon.
Më tej theksohet se Franca dhe Gjermania do të organizojnë një samit në javët e ardhshme për të arritur rezultate të prekshme mbi Ukrainën.
Duke iu referuar situatës në Hong Kong, deklarata riafirmoi ekzistencën dhe rëndësinë e Deklaratës së Përbashkët Sino-Britanike të vitit 1984 mbi Hong Kongun dhe bëri thirrje që të shmanget dhuna.
Deklarata e Përbashkët Sino-Britanike e vitit 1984 i siguron Hong Kongut një nivel të autonomisë.
Hong Kong është duke përjetuar protesta të papara që nga fillimi i qershorit kundër vendimit të qeverisë lokale për legalizimin e ekstradimit në territorin e Kinës.
Hong Kongu është një rajon autonom i Kinës nën formulën "Një vend, Dy sisteme" që nga 1 korriku 1997, kur Britanikët ia dorëzuan ish-koloninë e tyre Pekinit.
Deklarata e G7 gjithashtu thekson se dëshiron të përmirësojë Organizatën Botërore të Tregtisë duke e bërë atë me efektive në lidhje me mbrojtjen e pronësisë intelektuale për të zgjidhur mosmarrëveshjet më shpejt dhe për të eliminuar praktikat e padrejta tregtare.
"G7 angazhohet të arrijë në vitin 2020 një marrëveshje për të thjeshtuar barrierat rregullatore dhe modernizimin e taksave ndërkombëtare brenda kornizës së OECD," thuhet në deklaratë.