Hulumtim, një qese çaji përmban pothuajse 13 mijë grimca mikroplastike
Mikroplastikat janë grimca të vogla plastike të formuara nga dekompozimi në dete dhe sedimente detare dhe janë ndotës mjedisor. Ato ndryshojnë nga një mikrometër deri në pesë milimetra dhe janë kryesisht të padukshme me sy
Stamboll
Meral Yurtsever, profesoreshë në Degën e Inxhinierisë së Mjedisit në Universitetin Sakarya, zbuloi rreth 13 mijë grimca mikroplastike vetëm në një qese çaji në ujë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mikroplastikat janë grimca të vogla plastike të formuara nga dekompozimi në dete dhe sedimente detare dhe janë ndotës mjedisor. Ato ndryshojnë nga një mikrometër deri në pesë milimetra dhe janë kryesisht të padukshme me sy.
Studimi i mëparshëm në Holandë, i publikuar në mars të vitit 2022, tregoi se për herë të parë në gjakun e njeriut u gjetën mikroplastika. Studimi gjeti plastikë PET (polietileni tereftalat) në mostrat e gjakut, e cila përdoret gjerësisht në shishet e pijeve, paketimin e ushqimeve dhe në veshje, polistirenin që përdoret për paketimin e ushqimeve dhe produktet shtëpiake dhe në polietilenin që përdoret për qese plastike.
Në kuadër të projektit nga Instituti për Kërkime Shkencore dhe Teknologjike të Türkiye (TUBITAK), Yurtsever studioi nëse mikroplastika transferohet në çaj nga qeset.
Në një intervistë për AA, Yurtsever zbuloi se të paktën 13 mijë grimca mikroplastike kalojnë nga qeskat e filtrit të çajit në pije.
"Këtu, me teknikën që përdora në studimin tim, ne mund të zbulojmë grimca mikroplastike deri në tre mikrometra. Me fjalë të tjera, mund të themi se rreth 13,000 grimca mikroplastike me madhësi nga tre mikrometra deri në pesë milimetra futen në çaj", shtoi ajo.
Yurtsever tha se shtatë nga 11 qeset që ajo inspektoi ishin prej plastike, edhe atë prej poliesterit, polipropilenit dhe polietilenit, ndërsa katër ishin prej celuloze.
Duke shtuar se asnjë nga vetitë e plastikës nuk ndryshon edhe nëse ndahet në copa të vogla, Yurtsever theksoi se mikroplastika e gëlltitur shkakton efekte toksike.
Më tej, ajo rekomandoi përdorimin e çajit bimor në vend të qeseve dhe shtoi se “do të ishte më mirë që konsumatori t'i drejtohej produkteve që në fakt nuk janë të paketuara”.
"Përdorimi i qeseve të çajit nuk mund të mohohet, por ato realisht mund të kenë efekte dhe të rëndojnë jo vetëm njerëzit, por edhe mjedisin”, tha ajo.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.