Bota

Jep dorëheqje ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Bilen Saliji

Ministri Saliji tha se jep dorëheqje për shkak të lëkundjes së besimit në sistemin gjyqësor

Nazmi Abduramani  | 20.03.2018 - Përdıtësım : 21.03.2018
Jep dorëheqje ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Bilen Saliji

Shkup

SHKUP (AA) - Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë Bilen Saliji ka dhënë dorëheqje nga posti për shkaqe morale që lidhen me rastin e Almir Aliut, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri  Saliji tha se jep dorëheqje për shkak të lëkundjes së besimit në sistemin gjyqësor lidhur me vendimin e prokurorit publik për të rikualifikuar aktakuzën për të akuzuarin Boban Iliq, nga vrasje me paramendim në aksident komunikacioni me pasojë vdekjen.

“Besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor është më se i rëndësishëm për ne, posaçërisht për mua si ministër i Drejtësisë. Ky besim filloi të rikthehet pas rasteve gjyqësore Sopot dhe Monstra. Por në këto momente ndjej se ky besim është lëkundur në opinion por edhe tek unë me vendimin e ditëve të fundit të prokurorit publik republikan që të rikualifikojë aktakuzën për rastin e Almirit të vogël”, tha ministri Saliji.

Ai më tej tha se deponimi i dorëheqjes së tij shpreson të jetë sensibilizues edhe më i madh i vëmendjes së institucioneve por edhe i gjithë shoqërisë në drejtim të reformave në gjyqësor.

“Ky vendim kontravers tanimë u kontestua edhe nga katër prokurorë publik republikanë të cilët e informuan opinionin me qëndrimet e tyre. Pushteti gjyqësor është i pavarur dhe i tillë do të mbetet, por unë si njeri i parë i Drejtësisë në ekzekutiv për shkak të lëkundjes së këtij besimi ndjej obligim moral të jap dorëheqje nga posti i Drejtësisë, jo si akt i dështimit dhe presionit, por si akt i cili shpresoj se do të jetë sensibilizues edhe më i madh i vëmendjes së institucioneve por edhe i gjithë shoqërisë në drejtim të reformave në gjyqësor”, tha ministri Saliji.

Ditë më parë prokuroria rikualifikoi aktakuzën për të akuzuarin Boban Iliq në aksident komunikacioni me pasojë vdekjen, me ç’rast ai u lirua nga paraburgimi.

Ndryshe, zënka që la të vdekur Almir Aliun ndodhi më 25 qershor të vitit 2016, kur i akuzuari shtypi me makinë katërvjeçarin së bashku me prindërit e tij, pas një zënke paraprake mes prindit të Almirit dhe të akuzuarit. Almiri kaloi rreth një javë në kujdes intensiv, ndërsa më 2 korrik ndërroi jetë në klinikën e Shkupit.

Ngjarja, në atë kohë po dhe tani, shkaktoi reagime dhe revolta të shumta në publik, veçanërisht në rrjetet sociale ku vëreheshin komente të shumta që kërkonin drejtësi për Almirin e vogël dhe thirrje për protesta.

Lidhur me këtë rast nesër para Qeverisë janë paralajmëruar protesta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın