Amir Latif Arain
12 Prill 2023•Përditësim: 13 Prill 2023
Kina vlerëson se zbatimi i plotë i Paktit të Partneritetit Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal (RCEP) do të ndihmojë në zgjerimin e tregtisë dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të tjera anëtare, transmeton Anadolu.
Filipinet depozituan instrumentin e tyre të ratifikimit të marrëveshjes RCEP te Sekretari i Përgjithshëm i Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) më 3 prill, duke shënuar hapin përfundimtar drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes, thuhet në një deklaratë të Ministrisë kineze së Tregtisë.
Sipas rregullave të RCEP-it, marrëveshja e madhe tregtare do të hyjë në fuqi 60 ditë pas depozitimit të ratifikimit, kështu që për Filipinet, marrëveshja do të hyjë në fuqi më 2 qershor, raportoi gazeta China Daily, duke cituar Ministrinë e Tregtisë.
Ky veprim tregon se marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë në botë do të hyjë në fuqi të plotë për 15 vendet nënshkruese, thuhet në deklaratë.
Kina është partneri më i madh tregtar i Filipineve, burimi kryesor i importit dhe tregu i tretë më i madh i eksportit. Sipas rregullave të RCEP, Filipinet do të gëzojnë një trajtim tarifor të favorshëm për tregtinë e mallrave me Kinën, duke përfshirë automobila dhe pjesë, lloje të caktuara të produkteve plastike, produkte të tekstilit, klimatizues, etj.
Në raportim gjithashtu thuhet se në sektorët e shërbimeve dhe investimeve, Filipinet janë zotuar të hapin mbi 100 sektorë shërbimi dhe të hapin ndjeshëm shërbimet e transportit detar dhe ajror.
Zbatimi i plotë i paktit RCEP do të përmbushë kërkesën për zgjerimin dhe përmirësimin e konsumit të Kinës, do të konsolidojë zinxhirët rajonalë industrialë dhe të furnizimit, si dhe do të promovojë prosperitetin dhe zhvillimin afatgjatë të ekonomisë globale.
RCEP, marrëveshja më e madhe tregtare në botë, hyri në fuqi vitin e kaluar në janar.
Marrëveshja u nënshkrua në nëntor 2020 nga vendet anëtare të ASEAN-it dhe pesë vende që nuk janë pjesë e asociacionit, duke përfshirë Japoninë, Australinë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut dhe Kinën.
Marrëveshja përfshin rreth 28 për qind të tregtisë ndërkombëtare, pothuajse 30 për qind të popullsisë së botës, mbi 30 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) dhe afër 30 për qind të investimeve të huaja direkte globale.