Bota

Merkel: BE dhe Turqia varen nga njëra-tjetra

Kancelarja gjermane tha se pavarësisht dallimeve politike në disa çështje, Evropa duhet ta vazhdojë dialogun me Turqinë

Ayhan Şimşek  | 13.03.2018 - Përdıtësım : 13.03.2018
Merkel: BE dhe Turqia varen nga njëra-tjetra

Berlin

BERLIN (AA) – Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur mbështetje për dialog të ngushtë midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë, pavarësisht tensioneve të fundit mdis Ankarasë dhe kryeqyteteve të Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk mund të fshehim dallimet tona, por kanalet e komunikimit duhet të mbeten të hapura. Sepse ne jemi të varur nga njëri-tjetri”, deklaroi Merkel në një konferencë për media të mbajtur në Berlin.

Komentet e saj erdhën para një samiti kyç BE-Turqi, i planifikuar për më 26 mars në Varna të Bullgarisë, vend kryesues i BE-së, samit i cili do të sjellë së bashku udhëheqësit e BE-së dhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Kancelarja gjermane vlerësoi përpjekjet e Turqisë për më shumë se tre milionë refugjatë që kanë ikur nga lufta civile e Sirisë, duke u shprehur se “Turqia ka bërë një punë të madhe për refugjatët”.

Ajo poashtu shtoi se BE-ja mbetet e angazhuar në marrëveshjen për refugjatët me Turqinë, duke përfshirë angazhimet financiare.

Merkel prej kohësh ka qenë mbështetës kryesor i marrëveshjes BE-Turqi të arritur në mars të vitit 2016, marëveshje e cila kishte për qëllim dekurajimin e migrimit të parregullt përmes Detit Egje duke vendosur masa të rrepta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore, si dhe përmirësimin e kushteve të 3,5 milionë refugjatëve sirianë në Turqi, numri më i madh se në çdo vend tjetër në botë.

Megjithëse plani ka reduktuar me sukses flukset e migrimit të parregullt dhe Merkelit i ka dhënë një lehtësim politik në vend, BE-ja ka dështuar që në kohën e duhur të ofrojë fondet e premtuara për refugjatët në Turqi.

- Politika e koalicionit të ri për Turqisë

E pyetur për politikën e qeverisë së re të koalicionit gjerman për Turqinë, kancelarja gjermane theksoi se do të vazhdojnë bisedimet me homologët e tyre turq dhe do të trajtojnë mosmarrëveshjet përmes dialogut.

Duke theksuar pritjet e BE-së për Ankaranë mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, Merkel argumentoi se thellimi i Unionit Doganor BE-Turqi, një objektiv afatgjtë i Ankarasë, do të varet nga përparimi në këto fusha.

“Vetëm përmes bisedimeve dhe nganjëherë përmes bisedimeve kontraverse, ne mund të ecim përpara”, tha ajo.

Dje, blloku Kristian Demokratik i kancelares Merkel (CDU/CSU) dhe Partia Social Demokratike (SPD) nënshkruan marrëveshjen e tyre të koalicionit, pas disa muajsh bisedimesh.

Në marrëveshjen e qeverisë së tyre të koalicionit, blloku i Merkelit CDU/CSU dhe SPD theksuan dëshirën e tyre për “marrëdhënie të mira” me Turqinë.

“Turqia është një partner i rëndësishëm i Gjermanisë dhe fqinj i BE-së, me të cilin kemi marrëdhënie shumë-dimensionale. Prandaj, marrëdhëniet e mira me Turqinë janë me interes të veçantë për ne”, thuhet në dokumentin e nënshkruar.

Pavarësisht premtimit të fushatës së tyre për t’i dhënë fund procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE, marrëveshja e koalicionit të partive shmangi çdo propozim të tillë radikal.

Por, ata theksuan se asnjë kapitull i ri nuk do të hapet në bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në BE nëse Ankaraja nuk arrin përparim në adresimin e kritikave të BE-së mbi çështjet si demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Dokumenti i koalicionit poashtu tha se pritjet e Ankarasë për një Union Doganor të ri të BE-së dhe Turqisë, si dhe udhëtimi pa viza në Evropë, do të varen nga hapat e Turqisë për të përmbushur detyrimet e saj.

Qeveria e re gjermane e koalicionit pritet të marrë detyrën pas një votimi në parlamentin gjerman, që është planifikuar për ditën e nesërme.

Ky do të jetë “koalicioni i tretë i gjerë” midis Kristian Demokratëve dhe Social Demokratëve nga viti 2005 dhe do t’i japë Merkelit një mandat të katërt radhazi si kancelare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın