Serdar Dincel
22 Korrik 2025•Përditësim: 22 Korrik 2025
STAMBOLL (AA) - Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kanë diskutuar në një telefonatë progresin në blerjen e avionëve “Eurofighter”, transmeton Anadolu.
“Gjatë telefonatës u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Mbretëri e Bashkuar, si dhe çështjet rajonale dhe globale, dhe u shqyrtua progresi i bërë në lidhje me blerjen e avionëve ‘Eurofighter’”, tha Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë në X.
Në njoftim thuhet se zhvillimet në këtë fushë kontribuojnë pozitivisht në bashkëpunimin midis Turqisë dhe Britanisë.
Turqia, e cila mban forcën e dytë më të madhe ushtarake të NATO-s, planifikon të blejë 40 avionë Eurofighter, të prodhuar bashkërisht nga Britania, Gjermania, Italia dhe Spanja. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka synuar të vazhdojë me shitjen dhe të gjithë partnerët prodhues, përveç Gjermanisë, e kanë mbështetur atë, marrëveshja ka mbetur e bllokuar për muaj të tërë. Megjithatë, kancelari gjerman Friedrich Merz sinjalizoi javën e kaluar se po bëhet përparim drejt një shitjeje të mundshme të avionëve Eurofighter aleatit të NATO-s, Turqisë.
Gjatë telefonatës, presidenti turk ka shprehur optimizëm se negociatat në vazhdim për të përditësuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar do të japin rezultate brenda këtij viti.
Duke theksuar se situata humanitare në Gaza është e tmerrshme dhe se vdekjet nga uria nuk po parandalohen, Erdoğan ka thënë se ndihma humanitare duhet të lejohet në Gaza pa vonesë.