Prishtinë, zhvillohet seanca gjyqësore ndaj Naser Kelmendit

Naser Kelmendi është arrestuar nga Policia e Kosovës, në maj 2013, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga organet qeveritare të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nga atëherë gjendet në paraburgim

PRISHTINË (AA)- Në pallatin e Gjykimit në Prishtinë, sot po mbahet seanca gjyqësore ndaj Naser Kelmendit, i cili akuzohet për krim të organizuar, trafikim të drogës dhe të armëve. Ai gjithashtu akuzohet për përfshirje në vrasjen e Ramiz Delaliqit në vitin 2007, një shtetas boshnjak, i cili thuhet se ka qenë në konflikt me Kelmendin. Kryetari i Partisë Politike Aleanca për një Ardhmëri më të Mirë (SBB) në Bosnje dhe Hercegovinë, Deputeti i Parlamentit të BeH-së, Fahrudin Radonçiç, mori pjesë si dëshmitar në këtë seancë, raporton Anadolu gency (AA)

Dëshmia e Radonçiçit filloi me pyetjet e prokurorit special Andrew Hughes. Ai bëri pyetje rreth rolit të Radonçiçit në luftën e fundit në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe në lidhje me marrëdhëniet e tij me Haris Silajxhiq, në periudhën kur ai ishte kryeministër i BeH-së dhe me Presidentin e atëhershëm Alija Izetbegoviç.

Prokurori gjithashtu pyeti për marrëdhëniet e tij me Ramiz Delalic dhe Sefer Haliloviç.

Radonçiç bëri të ditur se ka qenë në shtab të komandës së lartë dhe se ka qenë në kabinetin e Haliloviçit, i cili ka qenë kryesues i ushtrisë së BeH. Ai bëri të ditur se me Delaliç është takuar atëherë kur ai ka qenë njëri prej 100 komandantëve, në vitin 1992 dhe shtoi se Delalic ka qenë komandant i ushtrisë së Sefer Haliloviçit.

Kurse rreth marrëdhënieve të tij me Haris Silajxhiq, Radonçiç tha se e ka njohur atë në kohën e para luftës, atëherë kur ka qenë gazetar dhe theksoi se edhe në periudhën kur ai vetë ka qenë ministër i Mbrojtjes kanë qenë miq të mirë.

Ndërkaq, i pyetur për konfliktet me Silajxhiq, Ranodçiç foli për disa letra anonime të dërguara duke theksuar se këto dëshironin të krijonin konfrontime mes tyre, po shtoi se “Ne vetëm qeshnim dhe bënim shaka me këto letra të dërguara".

Gjykimi vazhdoi më pas me pyetjet e prokurorit rreth punës që Radonçiç ka bërë pas luftës së fundit në Bosnje.

Naser Kelmendi është arrestuar nga Policia e Kosovës, në maj 2013, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga organet qeveritare të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nga atëherë gjendet në paraburgim. Kurse Prokuroria Speciale e Republikës Kosovës (PSRK), në korrik 2014, e ka ngritur akuzën kundër Naser Kelmendit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Përkundër kërkesës së qeverisë së Bosnjës dhe Hercegovinës për ekstradimin e Kelmendit, kjo nuk ka ndodhur për shkak se sipas ligjeve të Kosovës, një qytetar i Kosovës nuk mund të ekstradohet në një shtet tjetër i cili nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, dhe me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për ekstradim.

Pas leximit të aktakuzës ndaj tij, në janar të vitit të kaluar, Kelmendi kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor për asnjë nga aktakuzat e drejtuara ndaj tij. Ai kishte cilësuar këto aktakuza si të motivuara politikisht, duke theksuar se ai ka qenë “sponsor i politikanëve të cilët më nuk janë në pushtet”. Ndërkaq, Fahrudin Radonçiç, dëshmitari i seancës së sotëm është politikani, emri i të cilit lidhet me Naser Kelmendin.