TIRANË (AA) – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë ka prezantuar sot projektin “Single Window” (sporteli i vetëm). Ky projekt do të realizojë përqendrimin në një sportel të vetëm të disa procedurave doganore, shërbime që aktualisht subjektet i marrin në institucione të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
"Single Window” është prezantuar nga Pranvera Fagu (Behushi), drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, ku ajo ka theksuar se projekti në fjalë është ndërveprim i sistemeve të IT-ve që i përkasin disa administratave, si Qendrës Kombëtare të Licencimit, Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Agjencisë së Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, etj.
"Pas miratimit të kodit të ri doganor implementimi i sportelit të vetëm doganorë është hapi i dytë më i rëndësishëm që njihet në këto dy vitet e fundit në sistemin doganor.
Koncepti i sportelit të vetëm është iniciuar nga Organizata Botërore e Doganave dhe promovuar e mbështetur më tej nga organizata të tjera ndërkombëtare. Ky koncept aplikohet në shumë vende, ku në disa prej tyre Shqipëria ka nivelin më të lartë të shkëmbimeve tregtare si Italia, Turqia, Maqedonia, etj. Sporteli i vetëm doganor u mundëson aktorëve të përfshirë në proceset tregtare të paraqesin në mënyrë të standardizuar informacionin dhe dokumentacionin që lidhet me importin, eksportin apo tranzitin e mallrave”, u shpreh Fagu.
Sipas autoriteteve doganore “Single Window” do të sjellë uljen e kohës dhe shpenzimeve të zhdoganimit, përmirësimin i cilësisë së kontrolleve dhe reduktimin e kostove të menaxhimit për administratat.