Politikë

Kosovë, arrihet konsensusi rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi

Kryeministri Haradinaj përmes njoftimit zyrtar konfirmoi se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, për unitet politik në parlament

Zülfiya Yakup  | 24.02.2018 - Përdıtësım : 25.02.2018
Kosovë, arrihet konsensusi rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj njoftuan se kanë arritur konsensus për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Haradinaj përmes njoftimit zyrtar konfirmoi se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, për unitet politik në parlament.

“Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç si dhe raportin e komisionit shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, theksohet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Edhe Veseli në profilin e tij në rrjetet sociale shkroi se është arritur konsensusi për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi. Ai falënderoi kryeministrin Ramush Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Nismën për Kosovën dhe zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, sipas tij, për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv. “Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”, shkroi Veseli.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit dje u ndërpre për shkak të mungesës së konsensusit rreth demarkacionit të kufirit. Gjatë seancës së jashtëzakonshme LDK kërkoi që me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të mos votohet raporti i komisionit shtetëror të cilin kryeministri Ramush Haradinaj e formoi pas ardhjes në krye të Qeverisë së Kosovës.

Ky raport, sipas LDK-së, konstatohet se ka qenë gabim gjatë përcaktimit të vijës kufitare dhe është në kundërshtim me Marrëveshjen e nënshkruar në gusht të vitit 2015 me Malin e Zi. Ndërsa kryeministri Haradinaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës insistonin që të votohet edhe raporti i komisionit në fjalë.

Kundër marrëveshjes për demarkacionin u prononcuan deputetët e “Listës Serbe” dhe Lëvizja “Vetëvendosje”.

Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare nevojiten 2/3 e shumicës së votave të deputetëve, ndërsa koalicioni qeverisës ka 61 vota. Lëvizja “Vetëvendosje” ka 32 deputetë, ndërsa “Lista Serbe” dhjetë, ashtu që pa votat e tyre demarkacioni nuk mund të votohet.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është thirrur me kërkesë të kryeministrit Haradinaj pasi Qeveria e Kosovës miratoi ndryshimet dhe plotësimet e projekt ligjit për demarkacionin në pajtim me aneks-marrëveshjen e presidentit të Kosovës dhe Malit të Zi, që parasheh mundësi korrigjimi të marrëveshjes paraprake në rast se drejtim të Çakorit dhe Kullës janë bërë gabime.

Kuvendi i Malit të Zi tashmë e ka ratifikuar këtë marrëveshje. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi përveç luftës kundër korrupsionit është kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın