Sport

Cristiano Ronaldo arrin 1 miliard ndjekës në rrjetet sociale

"Bëmë histori – 1 miliard ndjekës! Ky është më shumë se një numër – është një dëshmi e pasionit, dëshirës dhe dashurisë sonë të përbashkët për lojën dhe më gjerë”, shkroi Ronaldo

Selçuk Buğra Gökalp  | 13.09.2024 - Përdıtësım : 20.09.2024
Cristiano Ronaldo arrin 1 miliard ndjekës në rrjetet sociale Foto: AA/Arkiv

Ankara

Ikona portugeze e futbollit Cristiano Ronaldo ka arritur një moment historik, duke u bërë individi i parë që grumbullon 1 miliard ndjekës në rrjetet sociale, transmeton Anadolu.

Sulmuesi 39-vjeçar i klubit saudit Al-Nassr ka festuar këtë arritje në llogarinë e tij personale në X, duke shprehur mirënjohje për fansat e tij.

“Bëmë histori – 1 miliard ndjekës! Ky është më shumë se një numër – është një dëshmi e pasionit, dëshirës dhe dashurisë sonë të përbashkët për lojën dhe më gjerë”, shkroi Ronaldo.

Superylli i futbollit, i cili gjithashtu ka vendosur rekorde për numrin më të madh të ndjekësve në Instagram me mbi 638 milionë, së fundmi lançoi një kanal në YouTube që arriti 50 milionë abonentë brenda një jave, që thuhet se është një rekord për platformën.

Ronaldo, pesë herë fitues i Topit të Artë, ka shënuar 131 gola për Portugalinë dhe ka kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme në skuadrat kryesore evropiane, duke përfshirë 450 gola për Real Madridin, 145 për Manchester Unitedin, 101 për Juventusin dhe pesë për klubin e tij të parë Sporting CP. Ai gjithashtu ka shënuar 62 gola për klubin e tij aktual, Al-Nassr të Arabisë Saudite.

“Faleminderit që besuat në mua, për mbështetjen tuaj dhe që jeni pjesë e jetës sime. Më e mira nuk ka ardhur ende, dhe ne do të vazhdojmë të përpiqemi, të fitojmë dhe të bëjmë histori së bashku”, shtoi Ronaldo në postimin e tij.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.