Media amerikane: Izraeli po përgatitet për sulmin e drejtpërdrejtë nga Irani brenda dy ditësh
Burimi në fjalë vuri në dukje se Tel Avivi po përgatitet që Irani të nisë sulm të drejtpërdrejtë në jug ose në veri të Izraelit brenda 24 deri në 48 orë
Istanbul
Gazeta "Wall Street Journal" me bazë në SHBA pretendon se Izraeli po përgatitet për një sulm të drejtpërdrejtë që do të kryhet nga Irani brenda dy ditësh, por se Irani ende nuk ka marrë vendim përfundimtar lidhur me sulmin, transmeton Anadolu.
Në lajmin e gazetës "Wall Street Journal" të bazuar në një burim me njohuri për këtë temë, pretendohet se pas sulmit të Tel Avivit në ndërtesën e konsullatës në ambasadën iraniane në Damask, sulmi i mundshëm i Teheranit do të bëhet drejtpërdrejt ndaj Izraelit.
Burimi në fjalë vuri në dukje se Tel Avivi po përgatitet që Irani të nisë sulm të drejtpërdrejtë në jug ose në veri të Izraelit brenda 24 deri në 48 orë.
Ndërsa një burim i dytë për të i cilin thuhet se ka marrë informacion nga udhëheqja iraniane, thekson se nuk është dhënë ende vendimi përfundimtar pavarësisht se janë diskutuar planet e sulmit.
Sipas raporteve të inteligjencës të një zyrtari amerikan, Irani ka mundësi të kryejë sulm hakmarrës ndaj Izraelit brenda pak ditësh, thuhet në lajmin ku përfshihen deklaratat e një këshilltari se "Planet e sulmit janë para liderit fetar (Ayatollah Ali Khamenei) dhe ai ende po vlerëson rrezikun politik".
Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror ndaj ndërtesës së konsullatës në kampusin e ambasadës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 persona, përfshirë 2 gjeneralë nga Garda Revolucionare e Iranit.
Irani tha se sulmi është kryer nga Izraeli dhe se do të hakmerret duke mbajtur SHBA-në përgjegjëse për sulmin.