Në Shqipëri fillon viti i ri akademik
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, mbi 121 mijë studentë fillojnë sot procesin mësimor në institucionet e arsimit të lartë
Tiranë
Në Shqipëri ka filluar viti i ri akademik 2023-2024, në universitetet publike dhe private të vendit, raporton Anadolu.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, mbi 121 mijë studentë fillojnë sot procesin mësimor në institucionet e arsimit të lartë.
Ndërkohë, mbi 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve në gjithë vendin.
Vitit i ri akademik ka nisur me disa risi, duke përfshirë edhe ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë në institucionet publike të arsimit të lartë”, që ka shkaktuar reagime dhe debate.
Gjithashtu, studentët që kanë zgjedhur disa nga degët e përcaktuara nga institucionet si prioritare do të financohen çdo muaj me bursë.
Mesazhe urimi nga zyrtarët
Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
Në mesazhin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë, thuhet se për studentët që ulen për herë të parë në auditorë, sot është fillimi i një ndryshimi të madh.
"Çdo ditë në auditorë mendoni si të përfitoni sa më shumë dije. Punoni fort, studioni! Formësojeni veten dhe objektivat tuaja nëpërmjet punës për t’i arritur ato! Guxoni të ëndërroni dhe shfrytëzoni mundësitë e shkollimit që realizimi i këtyre ëndrrave të jetë një realitet më i mirë i shoqërisë shqiptare në të ardhmen", thekson Begaj, duke iu drejtuar studentëve.
Në nisje të vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, u është drejtuar me një mesazh urimi studentëve dhe pedagogëve.
"Sot nis një kapitull i ri në jetën e mbi 121 mijë studentëve në universitetet tona. Për mbi 20 mijë prej studentëve, ky është viti i parë. Kalimi nga gjimnazi në universitet shoqërohet me kaq shumë ndryshime, nis një etapë e re e jetës", thuhet në mesazhin e ministres Manastirliu.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.