Tiranë
Në Shqipëri ka filluar sot viti i ri shkollor 2024-2025 në institucionet e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, raporton Anadolu.
Mësimi ka filluar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në vend, përfshirë në institucionet arsimore publike dhe private.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, 350 mijë nxënës nisin sot vitin e ri shkollor, ndërkohë 28 mijë prej tyre ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Ndërkohë, procesi mësimor ka filluar edhe në shkollat që administron Fondacioni Turk Maarif në Shqipëri.
Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit New York Tirana, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, konkretisht në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, janë organizuar aktivitete dhe ceremoni të ndryshme në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Mesazhe urimi nga zyrtarët
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, zyrtarët e lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit për mësuesit dhe nxënësit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale shkruan se "një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë".
"Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor. Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes", ka shkruar Begaj.
Edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përcjellë mesazhin e tij në rrjetet sociale me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, duke publikuar edhe një video me të dhëna rreth numrit të nxënësve, mbi pajisjen e tyre me libra, ndërtimin e shkollave të reja, infrastrukturën në shkolla dhe rritjen e pagave për mësuesit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Në mesazhin e saj, publikuar nga zyra e shtypit e ministrisë, ministrja Manastirliu ka theksuar rëndësinë e edukimit cilësor dhe përpjekjet e Qeverisë së Shqipërisë për përmirësimin e kushteve në shkolla.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.