Shkup
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ofruar mbështetje për riparim dhe pajisje për Fakultetin Pedagogjik dhe Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e riparimit dhe pajisjes së amfiteatrit të Fakultetit Pedagogjik “Kliment Ohridski”, morën pjesë ish-kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiyes, Mustafa Şentop, nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, Dekania e Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Biljana Kamçevska, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, profesorë dhe studentë.
Programi i moderuar nga ish-ministri pa resor dhe anëtari i fakultetit Prof. Dr. Adnan Qahil, filloi me prerjen e shiritit.
Në fjalën e tij të rastit, ish-kryeparlamentari turk Şentop uroi 21 Dhjetorin, Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut, dhe deklaroi se me këtë rast ka ardhur çdo vit në Shkup për 15 vjet.
Ai tha se Türkiye ka mbështetur që nga ditët e para të pavarësisë Maqedoninë e Veriut dhe ka përkrahur rrugën e saj të anëtarësimit në shumë organizata ndërkombëtare.
TIKA, e cila riparoi amfiteatrin e Fakultetit Pedagogjik, është një shembull konkret i bashkëpunimit midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut, tha Şentop, duke shtuar se kjo agjenci tashmë është bërë marka më e rëndësishme ndërkombëtare e qasjes humanitare dhe të ndërgjegjshme të politikës së jashtme turke në botë.
Ai theksoi se Türkiye ka lidhje të gjata me rajonin, ku me popuj të ndryshëm kanë bashkëjetuar vëllazërisht për 600 vjet.
Nënkryetari i TIKA-s Çevik rikujtoi se arsimi në këtë fakultet ofrohet në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke dhe tha: “Nevoja më e madhe e rajonit është të vazhdojë dhe ta ruajë kulturën e të jetuarit së bashku. Shpresoj që nga kjo sallë të dalin gjenerata të reja që do të kontribuojnë në paqen dhe qetësinë e rajonit dhe të zhvillojnë këtë kulturë të të jetuarit së bashku në periudhën e ardhshme”.
Dekania e Fakultetit Pedagogjik, Kamçevska, falënderoi TIKA-n për financimin dhe përpjekjet që ka bërë për ta “shndërruar amfiteatrin në një vend ku organizohen ngjarje të ndryshme dhe aktivitetet arsimore për studentët”.
- Projekti i pajisjes për Fakultetin e Arteve të Bukura
Në kuadër të mbështetjes së saj, TIKA mbajti edhe ceremoninë me rastin e dhurimit të pajisjeve teknike të laboratorit multimedial të Fakultetit të Arteve të Bukura, pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
Në ceremoni morën pjesë nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, Dekania e Fakultetit të Arteve të Bukura Prof. Dr. Sllavica Janeshlieva, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, profesorë dhe studentë.
Çevik, në deklaratën e tij për mediat, tha se TIKA ka realizuar rreth 1.200 projekte në Maqedoninë e Veriut për 18 vitet e fundit.
“Ne mbështetëm rinovimin dhe pajisjen e klasës multimediale në Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit ‘Shën Kirili dhe Metodi’ në Shkup, një nga universitetet më të vjetra në Maqedoninë e Veriut. U kemi mundësuar të rinjve që sapo pamë të kenë një arsim cilësor duke përmirësuar bazën dhe kushtet fizike që ata të zhvillohen këtu si artistë dhe piktorë”, tha ai.
Dekania Janeshlieva e quajti “privilegj të madh” bashkëpunimin me TIKA-n.
“Është një projekt i shkëlqyer dhe ambicioz që ndihmon arsimin e lartë dhe arsimin në përgjithësi. Një laborator i këtillë modern që na ofron mundësi për arsim bashkëkohor në fushën e arteve multimediale dhe të medias së re është shumë i rëndësishëm”, tha ajo.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.