Ambasadat turke në Tiranë dhe Prishtinë organizojnë pritje për Ditën e Fitores
Me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, e cila shënon fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi, Ambasadat turke në Tiranë dhe Prishtinë organizoi pritje zyrtare

Prishtinë
TIRANË/PRISHTINË (AA) - Me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, e cila shënon fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi, Ambasadat turke në Tiranë dhe Prishtinë organizoi pritje zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në pritjen e organizuar në ambientet e Ambasadës së Turqisë në Tiranë ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bardhyl Kollçaku, zyrtarë të institucioneve të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse tha se kombi turk luftën për pavarësi e kurorëzoi me fitore.
"Sot përkujtojmë 96-vjetorin e luftës për pavarësi, ku kombi jonë i madh që e ka pjesë të vet lirinë dhe pavarësinë e kurorëzoi me fitore. Kjo fitore e lavdishme nuk ishte vetëm një betejë e fituar, në të njëjtën kohë ishte lajmëtarja e shtetit të ri turk që do të krijohej, e Republikës së Turqisë. Kjo ditë i tregoi gjithë botës se kombi turk kurrë nuk do të mund të jetonte më në robëri. Ne edhe sot, kemi vullnetin e fortë si çeliku i ligjëruar 96 vjet më parë me luftën legjendare dhe gjakun e bekuar të dëshmorëve tanë”, tha ambasadori turk.
Ai theksoi më tej se “Dashuria jonë për lirinë dhe pavarësinë është sot më e gjallë dhe e re si atë ditë. Shembulli më i madhë dhe më i afërt në kohë i kësaj të vërtete janë qëndrimi, vullneti dhe guximi, që tregoi kombi turk përballë tentativës së përgjakshme për grusht shteti natën e 15 korrikut 2016 nga organizata tradhtare terroriste FETO”.
Në pritjen solemne u lexua nga ambasadori Yörük edhe mesazhi i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura të Turqisë.
Pritje solemne nga Ambasada turke në Prishtinë
Nën organizimi të ambasadores së Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç dhe atasheut ushtarak në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë, nënkoloneli Ruşen Abidinoğlu, sot në Prishtinë u organizua një pritje solemne me rastin e 96-vjetorit të Ditës së Fitores, 30 gushtit, e cila është festë kombëtare e Turqisë dhe shënon fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi.
Në pritjen solemne morën pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ministri për Forcën e Sigurisë, Rrustem Berisha, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, konsullja e Republikës së Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend, si dhe të ftuar të tjerë.
Pritja filloi me një minutë heshtje në kujtim të liderit të madh Mustafa Kemal Ataturk, shokët e tij të luftës, dëshmorët të cilët dhanë jetën për kombin, dëshmorët e 15 korrikut, si dhe për dëshmorët e Kosovës, ndërkaq më pas u dëgjua himni i Turqisë dhe ai i Kosovës.
Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kılıç fjalimin e saj e nisi me leximin e mesazhit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura të Turqisë. Pas kësaj ajo u shpreh se 30 gushti është dëshmia se çfarë mund të arrijë një popull për pavarësinë dhe nderin e një shteti.
“Krenaria të cilën na bënë të përjetojmë heronjtë tanë të 30 gushtit forcon vendosshmërinë për ta bërë Republikën tonë të përjetshme dhe për të ngritur në nivelin e qytetërimeve bashkëkohore. Kombi turk duke fituar një fitore të tillë epike 96 vjet më parë, me vendosmëri demonstron se edhe sot nuk do të përkulet para asnjë sfide ekonomike dhe politike që është sjellë përpara”, tha Kılıç.
“Në këtë ditë të veçantë dua të shprehi edhe një herë dëshirën tonë që miqësia në mes popujve të Turqisë dhe Kosovës të barten në të ardhmen duke u forcuar edhe më tej”, shtoi Kılıç.
Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një deklaratë për media pas pritjes uroi ditën e fitores së Republikës së Turqisë dhe falenderoi ambasadoren për organizim e kësaj pritjeje, duke u shprehur se kjo ishte një shenjë respekti për marrëdhëniet e mira që ka Kosova me Republikën e Turqisë.
Në pyetjen e gazetarit të AA-së se si e vlerëson të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Turqi, Haradinaj tha se, “Çdo herë do të jenë të mira sepse të dy popujt kemi interes për marrëdhënie të mira. Besoj se çdo herë do të jenë të mira. Ne tani kemi plot tema para vetes, për shembull në nëntor e kemi votimin për Interpol dhe Turqia prej njohjes ka mbajtur qëndrim pro kërkesave të Kosovës. Jemi të bindur që do ta kemi po ashtu përkrahjen kur votohet për Kosovën në Interpol”.