Figen Shaban
14 Shtator 2017•Përditësim: 14 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim, Angelina Eichhorst, zëvendësdrejtoreshën menaxhuese për Evropë dhe Azinë Qendrore dhe Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian (EEAS) të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga zyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, thuhet se në këtë takim janë diskutuar zhvillimet aktuale në Kosovë, procesi i integrimit evropian të Kosovës dhe hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces.
Zyrtarja e lartë e BE-së i konfirmoi kryeparlamentarit Veseli mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa shfaqi shpresën në përmbushjen sa më të shpejtë të të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli e siguroi Eichhorst se institucionet e reja të Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht për përmbushjen e kritereve që mundësojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe lehtësojnë rrugën evropiane të saj.
Veseli tha se Kosova po punon maksimalisht, së bashku më partnerët e saj, në avancimin e reformave demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar.
Eichhorst uroi kryeparlamentarin Veseli për rizgjedhjen e tij kryetar i Kuvendit, ndërsa shfaqi shpresën që bashkëpunimi midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës do të thellohet edhe më tej.