FDH prezanton publikimin mbi gjykimet për krime lufte në Kosovë
Në Kosovë pas konfliktit të armatosur në vitin 1999 kanë qenë 48 gjykime për krime lufte në të cilat janë dënuar 34 shqiptarë, 4 serbë dhe një malazez

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Në Kosovë pas konfliktit të armatosur në vitin 1999 kanë qenë 48 gjykime për krime lufte në të cilat janë dënuar 34 shqiptarë, 4 serbë dhe një malazez, u tha sot në publikimin e botuar “Pasqyrë e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë në periudhën 1999-2018”, të cilin e përgatiti Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës (FDH Kosovë), raporton Anadolu Agency (AA).
Koordinatorja e projektit Anka Kurteshi Hajdari tha se ky është një publikim unik i gjykimit për krimet e luftës në Kosovë dhe përmban një përmbledhje të të dhënave për 48 raste.
“Ato janë të prezantuara sipas emërtimeve zyrtare, sipas të cilëve në këto lëndë janë zhvilluar procedurat penale në bazë të aktakuzave të ngritura për krime lufte. Përveç hyrjes, në këtë publikim është prezantuar zhvillimi i sistemit gjyqësor pas konfliktit të armatosur në Kosovë, aplikimi i ligjeve të zbatueshme, zbatimi i tyre, angazhimi i misioneve ndërkombëtare, mandati i tyre, rezultatet e arritura në kuadër të publikimit dhe në secilën gjuhë janë të përsëritura të gjitha lëndët ku procedura ka përfunduar me aktgjykime”, tha Kurteshi Hajdari.
Bashkëpunëtorja në këtë projekt Amer Alija, duke cituar statistika nga ky publikim, tha se që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 deri në tetor të vitit 2018, ka pasur 48 lëndë të krimeve të luftës, nga të cilët 25 ka të bëjnë me serbë, 19 shqiptarë, 3 malazezë dhe një për komunitetin RAE (romë, ashkali dhe egjiptian).
Alija theksoi se në këto lëndë gjithsej janë akuzuar 61 shqiptarë, ndërsa janë dënuar 34, dy janë në arrati. Prej 44 serbëve të akuzuar, 4 janë dënuar, 13 janë liruar, ndërsa 24 janë në arrati. Prej 5 malazezëve të akuzuar, një është dënuar, ndërsa dy janë në arrati. Gjykimi për të akuzuarin e pjesëtarit të komunitetit RAE ende është në rrjedhë, ndërsa pikërisht sot në mëngjes ai u dënua me 10 vite burg.
"Menjëherë pas përfundimit të luftës prokurorët vendorë i kanë ngritur 13 aktakuza, pra brenda periudhës kohore 1999-2000. Prej tyre 11 lëndë kanë qenë ndaj serbëve ku janë të përfshirë 29 serbë, një lëndë ndaj një shqiptari dhe një lëndë ndaj 3 malazezëve”, tha Alija.
Sipas tij, lëndët e krimeve të luftës në vitin 2000 u transferuan në UNMIK dhe në vitin 2009 tek EULEX-i, ndërsa në vitin 2014 EULEX-i filloi t’i transferojë lëndët në gjyqësinë e vendit.
Gjatë misionit të UNMIK-ut ka patur vetëm një aktvendim të plotfuqishëm ndërsa gjatë misionit të EULEX-it, 38 u dënuan me aktvendime të plotëfuqishme, disa prej të cilave ishin trashëguar nga UNMIK-u.
Kurteshi Hajdari iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe tha se problemi kryesor për një numër kaq të vogël të aktvendimeve janë dëshmitarët, të cilët ose harrojnë ose nuk dëshirojnë të dëshmojnë dhe problemi është mungesa e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe një numër i vogël prokurorësh për këto lëndë.
“Edhe tash e kemi situatën, i kemi një ose dy prokurorë që merren me krime lufte dhe kjo nuk mjafton. Arsyeja pse mendojmë që edhe kjo nuk është e mirë që siç thashë dëshmitë kryesore janë njerëzit”, tha Kurteshi Hajdari.
Ajo shtoi se koha po kalon dhe njerëzit po vdesin ndërsa tani është shumë më vështirë të hetojmë dhe gjykojmë se sa ka qenë më parë.
Publikimi është shtypur në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe anglisht.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.