Bekim Laci
31 Maj 2018•Përditësim: 31 Maj 2018
SHKUP (AA) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka pritur sot në një takim ministtrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në të cilin takim, ministri ka informuar për zhvillimet e fundit që lidhen me negociatat me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit Ivanov, Dimitrov nuk ka dorëzuar asnjë dokument të shkruar, por se informacionet i ka ndarë vetëm gojarisht.
Në takim, presidenti Ivanov theksoi se moszbatimi i dispozitave ligjore për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, bën që i gjithë procesi t'i ngjajë një marrëveshjeje personale midis dy kryeministrave.
"I tërë procesi i ngjan një marrëveshjeje personale midis kryeministrave Zaev dhe Tsipras, për të cilën nuk është arritur një konsensus mbarëkombëtar në Republikën e Maqedonisë. Qëndrimi im është se nuk pranoj zgjidhje për çështjen e emrit për përdorim të përgjithshëm, apo erga omnes", ka thënë presidenti Ivanov.
Ai ka shtuar se arritja e marrëveshjes ndërkombëtare duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe jo të parasheh ndryshim të saj.
- Dimitrov: Nëse mbyllim çështjen e emrit do të rreshtohemi në anën e drejtë të historisë
Në ndërkohë, në njoftimin e Ministrisë së Jashtme, ministri Dimitrov ka thënë se "për këtë çështje shumë të rëndësishme për dallimet lidhur me emrin, që na tërheq poshtë, dhe për shumë vite është duke na e penguar të ardhmen, nevojitet lidership dhe përgjegjësi nga më e larta, nga të gjithë faktorët politikë".
“Nëse gjejmë mënyrë për të mbyllur këtë problem duke ruajtur identitetin dhe dinjitetin, të gjithë ne bashkë do të rreshtohemi në anën e drejtë të historisë”, shkruan Dimitrov.