Kalaja e Prizrenit, margaritari turistik dhe historik i Kosovës
Në Prizren, të cilin shpeshherë e quajnë “muzeu në qiell të hapur “ ka dhjetëra monumente kulturore dhe historike islame, por edhe të besimit ortodoks dhe katolik, ndërsa Kalaja e Prizrenit është diçka e veçantë
Prizren
PRIZREN (AA) - Kalaja e Prizrenit shtrihet në një sipërfaqe prej një hektar e gjysmë dhe nga ajo, si në pëllëmbë mund të shihet i tërë Prizreni bashkë me fushat e tij deri në afërsi të Pejës. Muret e fortesës shtrihen në drejtimin veri-jug, ndërsa përgjatë brendisë së saj janë ndërtuar hapësira të ndryshme dhe korridore nën tokësore, njëri nga të cilët është lëshuar poshtë kodrës deri në burimin mbi lumin Lumbardhi.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Jusuf Xhibo, drejtor i Entit për Mbrojtje të Monumenteve të Kulturës në Prizren, tha se nuk dihet saktë se kur dhe kush e ka ndërtuar kalanë, por siç thotë, në bazë të materialeve arkeologjike mund të konstatohet se bëhet fjalë për shekullin IV ose V.
- Restaurimi është bërë disa herë
“Pas ardhjes së Bizantit në këto treva, ata adaptuan kalanë për nevojat e tyre. Të njëjtën e kanë bërë edhe Osmanët pas ardhjes në Prizren në vitin 1445. Do të thotë, Kalaja është rindërtuar disa herë. E njëjta ndahet në të ashtuquajturin qytet i Epërm dhe qytet i Poshtëm, ku qyteti i Epërm është më i vjetër, ndërkohë që qyteti i Poshtëm është ndërtuar dhe adaptuar nga Osmanët nga shekulli 15-të deri në shekullin e 19-të. Ajo që dihet me siguri është se në periudhën Osmane kalaja është përdorur vetëm për qëllime ushtarake”, thotë Xhibo.
Gërmimet dhe restaurimet e para në këtë objekt të rëndësishëm historik filluan në vitin 1969, mirëpo të njëjtat asnjëherë nuk përfunduan. Pjesa e dytë e restaurimit filloi në vitin 2008, meqë nga shkaku i luftës në Kosovë, Kalaja ishte në gjendje shumë të keqe.
“Në vitin 2012 restaurimin e mori përsipër Instituti Arkeologjik. Financat vinin kryesisht nga Ministria e Kulturës, por investimin më të madh në vlerë prej dy milionë dollarë e bëri ambasada amerikane në Kosovë. Këtë restaurim e bënë arkeologë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës të cilët merreshin me gërmime dhe restaurim, ndërkohë që CHWB (Cultural Heritage Without Border ) merrej me promovimin e këtij objekti të vlefshëm kulturor”, theksoi Xhibo.
Gjatë gërmimeve, përveç armëve, janë gjetur edhe pushkë të përdorura në luftërat Ballkanike, shpata, një numër i madh i gjyleve të topit, fragmente të gurëve të shkatërruar nga xhamia dhe hamami, vendndodhja e të cilave nuk dihet akoma, si dhe mbetje të mullirit dhe të një depoje armësh.
Paralelisht me restaurimin e mureve të cilët ishin buzë shkatërrimit të plotë, që pothuajse janë restauruar 100 për qind, është ndërtuar edhe një depo e cila do të shërbej si muze i cili pritet të fillojë së funksionuari vitin e ardhshëm. Janë restauruar edhe kazamatet, për ku planifikohet të bëhet promovimi i punimeve artizanale.
“Në qytetin e epërm është adaptuar një pjesë, është ndërtuar një teatër për shfaqe dhe projeksione të filmave i cili përdoret sipas nevojës. Një pjesë e DOKUFEST-it është mbajtur pikërisht në atë pjesë, në gusht të vitit të kaluar. Atje është mbajtur edhe NGOMfest, festivali i muzikës i cili bën bashkë grupe të shumta nga rajoni dhe Evropa”, thotë më tej Xhibo.
Ky arkitekt rrëfen se pas Luftës së Parë Botërore, Kalaja e Prizrenit nuk ka funksionuar. Një pjesë e gurëve të saj janë përdorur për ndërtimin e gjimnazit të Muzikës dhe disa shkollave të tjera në Prizren.
Siç thotë ai, në këtë periudhë është shembur edhe xhamia të cilën Mahmut Pash Rotlla e kishte ndërtuar në vitin 1826 mbi themelet e një ekzistuese. Fillimisht xhamia ishte ndërtuar në vitin 1445, pas marrjes së qytetit.
"Kjo nuk është risi, sepse atje ku ishte ushtria ndërtohej një xhami, hamam dhe objekte të tjera. Deri në vitet 60-të të shekullit të kaluar muret nga mbetja e xhamisë ishin të lartë rreth një metër e gjysmë. Minarja është shembur pas Luftës së Parë Botërore, por nuk dihet nëse ka ndodhur nga ndonjë shpërthim, ashtu siç ndodhte zakonisht në Ballkan pas largimit të Osmanëve, siç është rasti në Budvë, në Shqipëri dhe veçanërisht në Bullgari”, rrëfen Xhibo.
- Vizitohet nga një numër i madh turistësh
Ndonëse 20 mijë qytetarë të rajonit të Prizrenit dhanë nënshkrimet e tyre në peticionin për rindërtimin e kësaj xhamie, kjo nuk ndodhi.
"Kalaja ka statusin e një lokaliteti arkeologjik, prandaj nuk behën rindërtime. Bëhet restaurimi dhe konservimi i gjendjes së tanishme, por jo edhe rikonstruksioni, ndonëse kjo nuk është patjetër. Për hir të së vërtetës, ka raste të rralla në situata specifike kur është bërë rekonstruksion. Instituti Arkeologjik dhe komisioni i tij, bazuar në ligjet e tanishme e trajtojnë si një lokalitet arkeologjik. Sipas tyre, xhamia nuk ka ndonjë veçanti prandaj nuk është dhënë leje për të", shpjegon Xhibo.
Në Prizren, të cilin shpeshherë e quajnë “muzeu në qiell të hapur" ka dhjetëra monumente kulturore dhe historike islame, por edhe të besimit ortodoks dhe katolik. Pjesa më e madhe e tyre janë të vjetra me qindra vjet, të vendosura kryesisht në qendër të qytetit të vjetër, i cili në dokumentet e shkruara për herë të parë përmendet në shekullin XI.
Megjithatë, Kalaja e Prizrenit është diçka e veçantë. Ndonëse është në kodër, dhe për të arritur atje duhet ecur në këmbë në terren të pjerrët, tani, por edhe kur ishte nën gërmadha paraqiste interes për turistë të shumtë. Sipas disa të dhënave, ndonëse të pakonfirmuara, për një vit vizitohet nga 200 mijë turistë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.