Figen Shaban
27 Prill 2018•Përditësim: 27 Prill 2018
PRISHTINË (AA) - Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës po zhvillohet debati parlamentar për personat e pagjetur, pikërisht në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës që shënohet më 27 prill, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fillim të seancës tha se Kuvendi do të mblidhet çdo vit deri sa të përfundojë kjo dramë e fatkeqësisë sonë kombëtare, duke patur parasysh se ka ende shumë qytetarë të Kosovës që janë të pagjetur.
"Serbia vazhdon të heshtë dhe tenton të nxisë harresën tonë, por ne nuk harrojmë, as nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për qytetarët tanë. Serbia duhet ta ketë të qartë se fshehja e krimit dhe aspirata për integrim evropian nuk shkojnë bashkë. Vetëm drejtësia i shëron plagët e së kaluarës e jo harrimi i tyre. Ne do të bëjmë gjithçka që të ndriçohet fati i njerëzve që janë aktualisht të pagjetur. Ky është obligim i yni kushtetues dhe obligim nacional të jemi bashkarisht t’iu qëndrojmë bashkë atyre që deri me sot nuk i kanë gjetur të dashurit e tyre", tha Veseli.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Kosovës (MPMS), Skender Reçica tha se personat e pagjetur si pasojë e luftës janë dhe mbeten barra dhe kujtesa e përgjithshme e popullit në Kosovë.
Duke theksuar se megjithatë ndihma dhe mbështetja nuk mjafton për të shlyer dhimbjen e familjarëve, Reçica tha se MPMS mbështet financiarisht familjarët e të pagjeturve. Sipas tij, ata gëzojnë të drejtat e përmendura në ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre për beneficione të veçanta.
Deputetja nga radhët e partisë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe iniciusja e debatit, Saranda Bogujevci tha se përgjejësia për personat e zhdukur është shumë e madhe. Ajo theksoi se pas debatit do t'i prezantojnë edhe disa rekomandime që e obligojnë qeverinë dhe deputetët që të punojnë në drejtim të zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur.
Bogujevci theksoi se sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, pala serbe nuk ka qenë e interesuar për çështjen e të pagjeturve dhe nuk ka pranuar krimet që i ka bërë në Kosovë.
"Unë dua të bëj edhe një thirrje tek komuniteti ndërkombëtar për përgjegjësinë që e kanë edhe ata karshi Serbisë për t'i bërë presion që çështja e personave të pagjetur të merret si prioritet që të ndërrmerren hapa konkretë rreth kësaj çështjeje", tha Bogujevci.
Gjatë seancës është shfaqur edhe një dokumentar që është një përmbledhje e përjetimeve të nënave dhe të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë.
Kujtojmë se edhe pas 19 viteve nga lufta e fundit në Kosovë numri i personave të zhdukur mendohet të jetë rreth 1600. Po ashtu këtë vit nga data 23 deri më 27 prill organizohet java për personat e pagjetur nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizatat e tjera vendore dhe ndërkombëtare.