Sibel Vezaj
21 Shkurt 2017•Përditësim: 21 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Komisioni i Ekspertëve për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës sot bëri prezantimin e draft-raportit dhe të të gjithë dokumentacionit dhe rezultateve profesionale, shkencore dhe menaxheriale, si dhe gjetjeve që lidhen me madhësinë territoriale të Republikës së Kosovës. Sipas këtij komisioni territori i Kosovës është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë dhe me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e nënshkruar më 26 gusht 2015, nuk humb asnjë territor, raporton Anadolu Agency (AA).
Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe i komisionit për matjen e territorit të Kosovës, sot në prani të kryeministrit Isa Mustafa, të anëtarëve të komisionit dhe ministrave bëri paraqitjen e draft-raportit të këtij komisioni. Ai tha se territori i sotëm i Kosovës është në përputhje me obligimet ndërkombëtare që ka ky vend, në radhë të parë në bazë të Planit Gjithëpërfshirës së Martti Ahtisaarit për Kosovën. Ai theksoi se madhësia territoriale Republikës së Kosovës para 25 gushtit të vitit 2015, përkatësisht nga viti 1961 deri në vitin 1981 është 10 mijë e 887 km katrorë, ndëra nga viti 1982 deri në vitin 2007 është 10 mijë e 908 km katrorë.
“Mirëpo në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti ynë në radhë të parë me planin e Ahtisarit, të dy shkurtit 2007, me Demarkacionin e kufirit mes Republikës Federative të Jugosllavisë, Serbia dhe Mali i Zi dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka një ndryshim të vogël të sipërfaqes në zonën kadastrale të Debëlldesë në kufi me Maqedoninë. Prandaj madhësia territoriale e Republikës së Kosovës sot është 10 mijë e 905.25 km katrorë”, tha Islami.
Kurse, Dr. Tomor Çela, zëdhënës i Komisionit, bëri prezantimin e të dhënave dhe të dokumentacionit faktografik gjatë hartimit të draft-raportit për sipërfaqen e territorit të Kosovës. Ai tha se sipas këtyre të dhënave nuk ka patur anjë ndryshim në kufijtë e territorit të Kosovës, por vetëm një ndryshim i kufijve të brendshëm të zonës kadastrale të komunës. Sipas tij, përkundër atyre që thuhet nga opozita është parë që mali Çakorr dhe lumi Bjelluha, të cilët ndodhen në kufi në mes Malit të Zi dhe Kosovës, janë jashtë territorit të Kosovës.
“Kur analizojmë të gjithë këtë material hartografik, statistikor, kadastral dhe shkencor vijmë dhe të gjitha këto të dhëna i fusim në sistem, na del një përputhshmëri maksimale e katër niveleve të të dhënave hapësinore dhe gjeografike në hartë”, tha Çela.
Nga sot deri më 24 shkurt i gjithë dokumentacioni me gjetje profesionale dhe shkencore që lidhen me madhësinë territoriale Kosovës do t’iu ofrohet opinionit publik dhe pas diskutimit publik, raporti përfundimtar do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës.
Ndryshe, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, është nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë. Kjo marrëveshje është ratifikuar nga pala malazeze mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të deputetëve opozitarë.
Këtë marrëveshje e kundërshtojnë edhe deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se nuk janë konsultuar për këtë çështje. Marrëveshja ishte sjellur në Kuvend më datën 1 shtator të vitit 2016, por ishte tërhequr nga rendi i ditës nga Qeveria e Kosovës. Po të njëjtën ditë partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar një protestë popullore para Kuvendit, duke konsideruar se me shënimin e kësaj vije Kosova do të humbë rreth 8 mijë hektarë tokë.