Figen Shaban
22 Tetor 2017•Përditësim: 22 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) - Sot në orën 07:00 u hapën qendrat për zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë, ku sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) gjithsej 1.890.952 shtetas kanë të drejtë vote, që të votojnë për 204 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 6.887 kandidatë për kuvende komunale, raporton Anadolu Agency (AA).
Numri i qendrave të votimit në këto zgjedhje është 899 me gjithsej 2.505 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale e cila ka zgjatur 30 ditë, përfundoi më 20 tetor në mesnatë. Shtetasit e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të votojnë deri në orën 19:00 kur edhe do të mbyllen kutitë e votimit.
Në zgjedhje marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2013.