BALLKANI

Kosovë, punëtori informuese për programin "Cosme" të BE-së

Shefi i Njësisë për Kosovën në KE, Cullen tha se KE sapo ka adaptuar strategjinë e re për shtetet e Ballkanit Perëndimor që e konfirmon të ardhmen e Kosovës në BE

Figen Shaban  | 20.03.2018 - Përdıtësım : 20.03.2018
Kosovë, punëtori informuese për programin "Cosme" të BE-së Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Shefi i Njësisë për Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) në Komisionin Evropian, David Cullen, i cili ndodhet në Kosovë ka marrë pjesë në punëtorinë për Programin e BE-së për konkurrueshmëri të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) "Cosme", raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë punëtori të organizuar me përkrahjen e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, gjatë dy ditëve me radhë do të jepen informacione relevante për aplikuesit e mundshëm që do të përfitojnë nga fondi i programit "Cosme".

Drejtori i KIESA-s, Besian Mustafa, tha se marrëveshja për programin COSME është marrëveshja e parë e BE-së e nënshkruar në mes të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe KE-ja e cila së shpejti pritet që të ratifikohet në Parlament me qëllim që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe sektori bankar kosovar të fillojnë të përfitojnë nga grantet e këtij programi.

Shefi i Njësisë për Kosovën në KE, Cullen tha se KE sapo ka adaptuar strategjinë e re për shtetet e Ballkanit Perëndimor që e konfirmon të ardhmen e Kosovës në BE. Sipas tij, tani Kosovës i duhen reforma dhe sundimi i ligjit në ekonomi, ndërsa shtoi se BE si donator i rëndësishëm do të vazhdojë përkrahjen në zhvillimin e bizneseve të reja në Kosovë.

Sa i përket objektivave kyçe të programit "Cosme", Cullen tha se ato janë: qasja në financa, qasja në treg, mbështetja e internacionalizimit dhe përmirësimi i kushteve të biznesit dhe ndërmarrësisë.

“Cosme është programi kryesor i BE-së për konkurrueshmëri të ndërmarrjeve dhe NVM-ve e cila ofron një ndihmë substanciale prej 2.3 miliardë euro që do të zgjasë nga 2014 deri në 2020 dhe njeh rolin jetik që kanë ndërmarrjet dhe NMV-të në ekonominë e BE-së. Në BE janë 23 milionë NVM dhe situata nuk ndryshon as në Kosovë ku një pjesë e madhe e bizneseve janë NVM”, tha Cullen.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani tha se marrëveshja për programin "Cosme" është nënshkruar në fund të muajit dhjetor të vitit 2017 dhe bart shpenzime për Qeverinë e Kosovës sepse është paketa e anëtarësimit.

Duke theksuar se ndërmarrjet duhet që ta shfrytëzojnë dhe të aplikojnë për fonde deri në vitin 2020, Hasani tha se: “Unë mendoj se është një hap i madh, një mundësi për ndërmarrjet tona të vogla dhe të mesme për shkak se është një prioritet i qeverisë së Republikës së Kosovës që t'i përkrahim këto ndërrmarrje. Ju e dini se kanë mundësi që të aplikohet në këto fonde mirëpo ka mbetur procedura që ta bëjmë ratifikimin në Kuvendin e Kosovës të mund të aprovohen këto aplikime”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane të Kosovës, Dhurata Hoxha, tha se me nënshkrimin e MSA-së është hapur rruga për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e cila ka hapur edhe rrugën drejt integrimit në BE. Ajo po ashtu bëri të ditur se gjatë vitit do të nënshkruhen edhe tri marrëveshje të tjera si Erasmus plus, Evropa kreative dhe Evropa për qytetarët.

“Duhet të jemi realist dhe të shohim përvojat e fqinjëve tanë dhe fatkeqësisht absorbimi i të gjitha mundësive që ofrohen kanë qenë sfidues. Prandaj është mirë që po organizohen punëtori si kjo e sotmja që të vetëdijësohen sa më shumë që është e mundur të gjithë hisetarët të cilët mund të përfitojnë nga ky program ku në këtë rast po flasim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Hoxha.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın