Admir Fazlagikj
11 Tetor 2018•Përditësim: 12 Tetor 2018
SHKUP (АА) - Me një ceremoni solemne, në Kuvendin e Maqedonisë sot u nda çmimi shtetëror “11 Tetori”, për vitin 2018, raporton Anadolu Agency (AA).
Fitues të çmimit janë prof. Dragi Mihajlovski, përkthyes dhe shkrimtar, Risto Lazarov, shkrimtar dhe gazetar, Petre Arsovski, aktor, si dhe prof. Dr. Alexander Stavridis, kirurg – urolog.
Mihailovski, Lazarov dhe Arsovski morën çmimin për punën në fushën e kulturës dhe artit, ndërsa Stavridis për punën e tij jetësore në fushën e shëndetit.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të Bordit për dhënien e çmimit shtetëror "11 Tetori".
Çmimin e ndau kryetari i Bordit, Dragi Georgiev, i cili në fjalën e tij theksoi se sot është një nga datat më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë, për çka dhe ndahet ky çmim.
"Ndonjëherë puna jetësore të cilën e lënë pas vetes artistët dhe shkencëtarët i tejkalon dhe vet ata, meqë veprat e tyre bëhen më të rëndësishme”, tha Georgiev.
Në emër të fituesve të çmimit "11 Tetori", foli Risto Llazarov. "Çmimin e lartë e njoh si një hapërim drejt shtigjeve të lavdishme të etërve të mëdhenj të shoqërisë moderne të Maqedonisë, ata që në errësirë kanë nxjerrë dritë, ata që nga sfidat kanë gjetur zgjidhje”, tha ai.