Dzihat Aliju
29 Mars 2017•Përditësim: 30 Mars 2017
SHKUP (AA) - Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, u organizua paneli me temë "15 Korriku dhe Turqia e re" nga Universitet Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), raporton Anadolu Agency (AA).
Në panelin e organizuar në objektet e IBU-së, morën pjesë ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, akademikë dhe studentë.
Kara, në deklaratën e saj me këtë rast, rikujtoi se Turqia më 15 korrik u përball me një sulm tradhtar, duke shtuar se gjatë tentativës për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO kanë dalë rrugëve deri në orët e mëngjesit.
Duke theksuar se organizata është infiltruar në çdo nivel të shtetit si rezultat i një pune prej afër 40 vitesh në Turqi, Kara tha: "Dua të them atë që thotë edhe presidenti ynë, se një ngjarje që ka ndodhur në Turqi nuk do të thotë se nuk do të ndodhë edhe në ndonjë shtet tjetër. Presidentët e të gjitha shteteve dhe politikanët duhet të jenë vigjilentë."
Kara më tej shtoi se organizata posedon mbi 600 shkolla vetëm në SHBA, ndërsa edhe numri i shkollave në shtetet e Evropës arrin shifra serioze.
"E shihni se këtu në Maqedoni kanë nëntë shkolla. Ajo që duhet të fillojmë të bëjmë këtu, është t'i paralajmërojmë të afërmit ose familjet që u janë drejtuar atyre shkollave, se ato janë çerdhe terrori, ndërsa ato armë nesër mund të drejtohen kah ju. Ato nuk janë institucione arsimore, por, fatkeqësisht, aty mësohet terrori, pra, ato fatkeqësisht edukojnë terroristë që shënjestrojnë shtetin tonë", tha Kara.
"Edhe ju e shihni qartazi se ky nuk është planprogrami i një njeriu me shkollë fillore, por ato drejtohen nga një inteligjencë më e lartë", tha ambasadorja Kara, duke shtuar:
"Në fakt, secili prej nesh duhet të përpiqet për atdheun dhe shtetin tonë. Dua të theksoj se këta nuk kanë përfunduar dhe nuk do të përfundojnë, andaj ne duhet të jemi syçelë. Rrjedhimisht, shohim se ndaj Turqisë kanë filluar të zbatohet sanksion serioz. Në të gjitha shtetet perëndimore, në të gjitha shtetet, sikur të gjithë janë bashkuar dhe solidarizohen për ta sulmuar Turqinë. Kjo tregon se Turqia është një shtet i fuqishëm, se populli turk është popull i madh dhe se vazhdon frika nga kjo gjë."
"Më 16 prill, Turqia do të hyjë në një periudhë të re"
Ndërkohë, panelsti Mustafa Şen, kryekëshilltar i kryeministrit turk, tha se do të flasin në lidhje me rrethanat që përgatitën 15 Korrikun dhe periudhën pas tij.
"Në fakt, do të përpiqem që në mënyrë analitike të prezantoj se çfarë deshën të bëjnë më 15 korrik. Nga ana tjetër, ky proces na çon ne drejt një Turqie të re. Siç e dini, më 16 prill në Turqi do të mbahet referendum. Do të flasim edhe për sistemin e qeverisjes presidenciale. Çdokush do ta shohë se Turqia do të hyjë në një periudhë të re përmes 16 Prillit. Gjithsesi, Turqia është garantues për paqen dhe qetësinë e rajonit në të cilin gjendet. Dashtë Zoti ajo do të na çojë drejt së ardhmes duke u forcuar edhe më shumë", tha Şen.
Duke theksuar se Turqia dhe Ballkani janë "një vend i vetëm", Şen u shpreh se Turqia ka zhvilluar marrëdhënie vëllazërore me të gjitha shtetet e Ballkanit dhe se këto duhet t'i bartë në përmasa edhe më të larta.
Ndërkaq, rektori i IBU-së, Prof. Dr. İsmail Kocayusufoğlu, tha se janë mbledhur për të diskutuar në lidhje me pasojat e tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi.
Kocayusufoğlu shtoi se duke bërë vlerësim përmes gjetjeve dhe punimeve shkencore, do të diskutojnë për periudhën pas 15 Korrikun dhe Turqinë e re.
Për pjesëmarrësit në program u bë shpërndarja e mbi 300 librave "Tentativa për grusht shteti nga FETO, minutë pas minuti" nga zyra në Shkup e Anadolu Agency (AA). Gjithashtu, në kuadër të programit për pjesëmarrësit u prezantua edhe ekspozita e fotografive me pamje nga tentativa për grusht shteti nga FETO më 15 korrik.