Husameddin Gina
07 Janar 2019•Përditësim: 08 Janar 2019
SHKUP (AA) - Të krishterët ortodoksë në Maqedoni kremtojnë festën e Krishtlindjeve, ku në të gjitha kishat ortodokse të Maqedonisë mëngjesin e sotëm janë mbajtur liturgjitë e Krishtlindjeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Manifestimi qendror është mbajtur në kishën kryesore “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ku Ipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefan, mbajti liturgjinë.
Ipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë së bashku me sinodin e shenjtë të Kishës Ortodokse të Maqedonisë, besimtarëve të krishterë ortodoksë u dërgoi mesazhin e Krishtlindjeve, duke u uruar paqe dhe bekimin e Zotit për të gjithë.
Ndër besimtarët e shumtë të krishterë ortodoksë, në liturgjinë e Krishtlindjeve në katedralen në Shkup morën pjesë edhe presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, i cili pas mbajtjes së liturgjisë duke folur për mediat uroi festën e Krishtlindjeve. Qytetarëve ai u uroi shëndet, lumturi, gëzim dhe unitet, jo vetëm për festa, por edhe gjatë gjithë vitit.
“Festat nuk janë vetëm për t’i festuar, por edhe një kujtesë për të na kujtuar gjithë atë që na ka mundësuar të mbijetojmë ndër shekuj, për të na kujtuar se duhet ta duam, ta respektojmë dhe ta mbrojmë atë që e kemi, prandaj ta mbrojmë, ta respektojmë dhe ta duam Republikën e Maqedonisë, sepse atë e kemi”, porositi presidenti Ivanov.
Në liturgjinë e sotme morën pjesë edhe zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, si dhe kreu i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
Krishtlindjet festohen në kujtim të lindjes së Jezu Krishtit, si festë amë e të gjitha festave krishtere, pasi që me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re.
Shumica e kishave ortodokse në mbarë botën shfrytëzojnë kalendarin Julian, të themeluar nën sundimin e Julius Caesar 45 p.e.s. dhe nuk e kanë pranuar kalendarin Gregorian i cili u themelua në vitin 1582 nga Papa romak Gregori. Dallimi në mes të dy kalendarëve është 13 ditë, prandaj besimtarët ortodoks festojnë Krishtlindjet më 7 janar, dhe jo më 25 dhjetor.