Fatjon Cuka
12 Dhjetor 2016•Përditësim: 13 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) - Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë (MMSR), për 26-vjetorin e Ditës Kombëtare të Rinisë që u shënua më 8 dhjetor, ministri i MMSR-së, Blendi Klosi, sot realizoi një takim me sipërmarrësit e rinj, të cilët idetë e tyre i kanë kthyer në biznese online, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë bëhet e ditur se pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme në vend.
Ministri Klosi në këtë takim foli mbi politikat mbështetëse të institucionit që ai drejton, për idetë inovatore të kthyera në biznes dhe për programe të cilat sipas tij, janë mundësi të shkëlqyera për të zhvilluar këto ide.
"Ne mbështesim çdo ide dhe këtë përpiqemi ta bëjmë, në kuadër të nxitjes së punësimit, në kuadër të nxitjes së biznesit nëpërmjet fondeve për punësim. Disa nga programet e ministrisë janë të dedikuara për të rinjtë. Çdo i ri dhe e re që ka një biznes dhe një ide të mirë dhe do të ecë përpara me idenë e tij, ne jemi të gatshëm nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit ta mbështesim, me punësimin e disa të rinjve", u shpreh Klosi.
Ministri ka shtuar më tej se "Po vazhdojmë të kuptojmë që konkurrenca ndërmjet të rinjve shqiptarë me të rinjtë e Evropës po bëhet gjithmonë e më shumë agresive. Prandaj duke mbështetur shumë idenë që mund të kemi 25 000 programues në Shqipëri, mund të kemi një armatë të shqiptarëve jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, por edhe për shqiptarët që jetojnë në Greqi. E gjithë bota shqiptare mund të prodhojë duke u bazuar te aftësitë e tyre, për një komunitet dhe gjeneratë të re konkurruese për teknologjinë e informacionit".