Saimir Alija
15 Janar 2019•Përditësim: 15 Janar 2019
TIRANË (AA) - Ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme njëri prej personave më të kërkuar në Shqipëri, Klement Balili, raporton Anadolu Agency (AA).
Dorëzimi i tij u bë i ditur gjatë një deklarate për mediat nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili tha se policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët.
“Arrestimi i sotëm është një rezultat shumë domethënës për drejtësinë në Shqipëri dhe një provë e qartë se Policia e Shtetit është në një nivel krejt të ri gatishmërie për t'u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. E gatshme dhe e aftë për të kaluar në një fazë të re dhe vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka marrë sot një tjetër rezultat të merituar të një kapërcimi historik në mendësi dhe në aftësinë e saj goditëse”, u shpreh Lleshaj.
Lidhur me ndalimin e Klemet Balilit ka reaguar edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Në një prononcim për mediat, Meta deklaroi se Balili është një person me mjaft probleme me ligjin.
”Dua të falënderoj jo vetëm agjencitë ligjzbatuese, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për presionin e gjithanshëm për të arritur këtë rezultat sot”, tha Meta.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në rrjetet sociale shkroi se ndalimi i Klement Balilit është një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar.
Kujtojmë se shtetasi shqiptar Klement Balili është shpallur në kërkim nga autoritetet policore shqiptare, pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga autoritet greke, për akuzën e trafikut të drogës. Operacionet e policisë kanë vijuar prej kohësh për arrestimin e tij, pasi dyshohej se ai ndodhej brenda territorit të Shqipërisë.