Adel Ömeragiç
04 janar 2018•Përditësim: 04 janar 2018
PODGORICË (AA) – Një tërmet me fuqi prej 5.2 ballë sipas Rihterit ka goditur sot Malin e Zi, ku epiqendra ka qenë në afërsi të Plavës, në veri të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Tërmeti shkaktoi panik nëpër komunat në veri, në Plavë, Guci, Andrijevic, Berane, por edhe në Podgoricë dhe qytetet tjera.
Informacionet flasin se njerëzit në Plavë dhe Guci në panik kanë dalë në rrugë nga shtëpitë e tyre, ndërsa dridhjet janë përsëritur disa herë.
Shemsi Mustafa nga Rrjeti seizmologjik i Kosovës në një deklaratë për AA konfirmoi se në ora 11:54 sipas kohës lokale ndodhi një tërmet i fuqishëm, epiqendra e së cilit ishte në Mal të Zi, afër kufirit me Kosovën.
“Një tërmet me fuqi prej 5.2 ballë sipas Rihterit ka goditur Malin e Zi, në një largësi prej 24 kilometrave në perëndim të qytetit kosovar të Pejës. Është ndjerë në të gjithë Kosovën, veçmas në rajonin e Dugagjinit”, tha Mustafa.
Ndërkohë lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në Shqipëri dhe Maqedoni.
Tani për tani nuk ka informacione për dëme të mëdha materiale.