Admir Fazlagikj
16 Dhjetor 2016•Përditësim: 17 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Agjencia Nacionale për Turizëm Hyrës të Maqedonisë (NAITM) organizoi bursën e parë turistike të Maqedonisë në të cilën hotelet, restorantet, transportuesit, udhërrëfyesit turistik dhe malor nga Maqedonia i ofruan shërbimet dhe prodhimet e tyre të Agjencisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i NAITM-së, Vllatko Sulev, tha se qëllimi i bursës së parë turistike maqedonase është që në një vend ta takohen të gjithë krerët dhe palët e interesuara në turizmin e Maqedonisë me qëllim të prezantimit të ofertave të tyre dhe të bëhet rrjetizimi i tyre i ndërsjellë me qëllim që të përmirësohet organizimi i turizmit hyrës në Maqedoni.
“Blerësit në bursën turistike të Maqedonisë janë agjencitë që punojnë për turizmin hyrës në Maqedoni, ka rreth 15 agjenci dhe 60 dorëzues të shërbimeve, hotele, restorante, transportues”, tha Sulev duke theksuar se janë përfshirë edhe institucione tjera mes të cilave edhe lokaliteti arkeologjik Stobi dhe Heraklea.
Ai theksoi se nga viti 2005 deri tani turizmi i Maqedonisë shënon rritje për çka dëshmojnë siç tha, të dhënat e Organizatës Turistike Botërore, sipas të cilës Maqedonia është në vendin e pestë për nga rritja e turizmit.
“Gjatë periudhës së fundit turizmi hyrës i Maqedonisë ka rritje të madh. Në korniza evropiane Maqedonia është në vendin e pestë për nga rritja, pandaj, situata është e pjekur, tërë sektori u bashkua në një organ dhe në këtë mënyrë u rrit cilësia e shërbimeve të cilat i ofrojmë si ekonomi turistike dhe u rrit konkurrenca e prodhimit turistik të Maqedonisë”, shtoi Sulev.
Programin për rritjen e punësimit të tregut e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim (SDC) e cila disa vite është aktive në sektorin e turizmit në Maqedoni, ka ndihmuar për qëndrueshmërinë e burës turistike si mënyrë për përmirësimin e ofertës turistike në Maqedoni.
“Një nga sektorët që e mbështet programi është turizmi. Qëllimi ynë është zmadhimi i rritjes së sektorit dhe me këtë të krijohen mundësitë për punësim, ndërsa turizmi si sektor kompleks përfshinë shumë faktorë”, u shpreh Marjana Milevska, zëvendës drejtuesja e programit për rritjen e punësimit të tregut.