Sibel Vezaj
15 Dhjetor 2016•Përditësim: 16 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Menaxhmenti i Postës së Kosovës mbajti konferencën e jashtëzakonshme për media. Kjo konferencë u organizua si reagim për vendimin nga Autoriteti Kosovar i Konkurencës, për largimin e rreth 40 zyrave të pranishme postare në institucionet e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij në konferencë, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha bëri të ditur se Posta e Kosovës ka nënshkruar shumë marrëveshje me institucione publike duke filluar nga marrëveshja me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Marrëveshja me Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Komunat e Kosovës dhe Universitet që në Komunat e Kosovës dhe universitetet, që në këto institucione të jenë të pranishme zyrat postare.
Ai theksoi se qëllimi i këtyre marrëveshjeve ka qenë që qytetarëve t’iu mundësohen të gjitha shërbimet që t’i kryejnë në një lokacion apo vend të caktuar siç ka qenë edhe motoja e Qeverisë së Kosovës “Të gjitha shërbimet në një vend”.
Hoxha tha se këto marrëveshje janë nënshkruar në bazë të ligjit të prokurimit, i cili lejon që kryerjen e marrëveshjeve shtetërore Qeveria mund ta kryjë me institucionet publike, me institucionet e saj pa pasur nevojë që të hapë procedurat e prokurimit. Ai po ashtu bëri të ditur se kanë marrë interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në momentin kur kanë lidhur marrëveshje me këto institucione.
Hoxha bëri të ditur se përkundër që qytetarët kanë qenë të kënaqur me këto shërbime, këto marrëveshje nuk janë pritur mirë nga konkurentët dhe institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë dhe njoftoi se ata kanë paraqitur ankesa në shumë institucione në Kosovë,
Ai tha se nga të gjitha autoritetet janë kthyer përgjigje negative duke i vënë ligjshmëri të plotë marrëveshjeve të PK-së me institucionet e Kosovës.
“Ata kanë gjetur fatkeqësisht një mbështetje nga Autoriteti Kosovar i Konkurencës, i cili ka themeluar një komision dhe ai komision e ka bërë investigimin e këtyre marrëveshjeve, ka shkuar në Ministri të Punëve të Brendshme, ka marrë informatat. Dëshiroj për hir të opinionit edhe publikut të theksoj se asnjëherë nuk na kanë kontaktuar neve si Postë e Kosovës dhe si palë në proces. Si mund të merret një vendim për ju si ndërmarrje publike kur ti nuk konsultohesh as nuk të kërkohet kurrë nga ai autoritet", tha Hoxha.
Hoxha bëri të ditur se vendimi i autoritetit të konkurencës bazohet në nenin 4 i cili thotë, ndalohen marrëveshjet ndërmjet dy apo ndërmarrjeve të pavarura, dhe shtoi se në këtë rast posta e Kosovës nuk ka bërë asnjë marrëveshje me asnjë ndërmarrje tjetër të pavarur. “Ne kemi bërë marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës e cila është 100 përqind aksionare e postës së Kosovës”, tha ai.
Ai prezantoi edhe raportin dhe vendimin e autoritetit, duke theksuar se ky nuk është i nënshkruar nga zv/kryesuesi dhe anëtar tjetër i këtij bordi. Hoxha bëri të ditur se kanë marrëveshje edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, por që në vendim të bordit autoritetit Kosovar të konkurencës nuk përmendet kjo zyre postare.
Duke vënë në dukje se ky vendim rrezikon potencialisht mirëqenien sociale të mbi njëmijë punonjësve që ka Posta e Kosovës, Hoxha tha se “Ne kemi bërë një kërkesë që ky vendim joligjor të anulohet nga bordi i dejtërove të këtij autoriteti. Në të kundërtën posta e Kosovës do t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore për ta shfuqizuar këtë vendim joligjor i cili dëmton Postën e Kosovës mbi gjysëm milioni euro në vit”, tha Hoxha.
Ai së fundmi theksoi se ky vendim është marrë për t‘i ndihmuar dhe fuqizuar grupet e caktuara të interesit dhe bëri të ditur se Bordi i drejtorëve të Postës së Kosovës ka marrë vendim që pa vendim të gjykatës dhe organeve kompetente ligjore të mos zhvendosen zyrat postare.