Sibel Vezaj
04 Qershor 2018•Përditësim: 05 Qershor 2018
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar te autoritetet e Bashkimit Evropian (BE) letërkëmbimin me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, me të cilin përmbyllet mandati i deritashëm i EULEX-it, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga Presidenca thuhet se letrën e kanë pranuar Komandanti i Operacioneve Civile të BE-së, Kenneth Deane, si dhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.
“Përmbajtja e letrës është negociuar në mes palës kosovare dhe asaj të BE-së dhe parasheh përfundimin e mandatit ekzekutiv dhe reduktimin e rolit të EULEX-it në rol monitorues dhe këshillues në fazën e përmbylljes së misionit”, njofton presidenca.
Gjatë këtij takimi Thaçi është shprehur se “institucionet e Kosovës kanë përfituar shumë nga bashkëpunimi me EULEX-in” dhe se “ka qenë një dekadë e vlefshme për Kosovën”.
“Falë këtij bashkëpunimi, sot kemi ngritur kapacitetet vendore për të marrë plotësisht përgjegjësitë në sektorin e sundimit të ligjit. EULEX-i ka qenë mision i suksesshëm dhe nga kjo përvojë edhe BE-ja mund të nxjerrë mësime të rëndësishme për misionet e ngjashme në të ardhmen”, është shprehur ai.
Kujtojmë se mandati i misionit të EULEX-it skadon më 15 qershor 2018, kurse misioni i ardhshëm do të jetë i përqendruar në përmbylljen e transferimit të plotë të kompetencave tek organet e Kosovës, si dhe në përmbylljen e misionit.
Ndryshe Misioni i EULEX-it në Kosovë (European Union Rule of Law Mission in Kosovo) është një mision evropian i funksionalizuar në vitin 2008 dhe është krijuar me synimin e përgjithshëm që t’i ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit të Kosovës në zhvillimin e drejtësisë efektive të bazuar në sundimin e ligjit dhe të lirë nga ndikimet politike.