Sibel Vezaj
03 Mars 2017•Përditësim: 04 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme ka miratuar Raportin Faktografik të Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se sipas rezultatit të dalë nga ky raport është se madhësia territoriale e Kosovës është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë.
“Kur u matën të gjitha sipërfaqet e komunave administrative, u matën 38 komuna, u matën sipërfaqet e 1 mijë e 305 zonave kadastrale, që pajtoheshin zonat me kumulativin e sipërfaqes së komunave administrative. Kjo u bë një kohë të gjatë dhe u bë disa herë, minus ndryshimi që ndodhi me Planin e Ahtisaarit me Maqedoninë, doli kjo shifër që e kemi, dhe ne mendojmë që kjo shifër, sipas ekspertëve, është absolutisht e saktë, e tolerueshme me këto gabimet minimale. Prandaj, ta kemi ndërgjegjen e pastër dhe të fashiten emocionet. Kosova nuk humb asnjë metër katror. Atë që e kemi pas, e kemi. Padrejtësitë historike nuk mund t’i korrigjojmë”, tha Kryetari i Komisionit, Akademik Hivzi Islami, i cili njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me punën e bërë nga ekspertët e komisionit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa tha se kjo siguron se Kosova edhe për këtë gjeneratë edhe për gjeneratat e ardhshme nuk e ka humbur asnjë metër katror në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Ne kemi një përkushtim të madh edhe sot, dhe kemi argumente të plota dhe të pakontestueshme që Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër katror gjatë shënimit të vijës kufitare dhe shpresoj se me këtë hapet një proces i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri po ashtu bëri të ditur se raporti do t’i përcillet edhe Presidentit të Republikës së Kosovës, por edhe depytetëve të Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës për informim dhe njoftim. Ai së fundmi shprehu bindjen se ky raport do të jap rezultate pozitive në unifikimin e spektrit politik dhe apeloj që ky spektër politik të unifikohet rreth çështjes së shënimit të vijës kufitare.
Ndryshe, me qëllim që të verifikohej sipërfaqja e Kosovës dhe të dihet se a po humb Kosova territor me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur më 23 dhjetor 2016 kishte marrë vendim për ta themeluar një komision të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, të përbërë nga 18 përfaqësues të organizatave dhe agjencive profesionale, shkencore, menaxheriale dhe shoqërisë civile, si dhe ka ftuar përfaqësuesit e instancave ndërkombëtare në cilësinë e vëzhguesve.