Nazmi Abduramani
23 Nëntor 2017•Përditësim: 23 Nëntor 2017
SHKUP (AA) - Sot në Shtëpinë e ARM-së në Strumicë do të mbahet seanca e parë e përbashkët mes qeverive të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, ku pritet të firmosen disa marrëveshje dhe memorandume, raporton Anadolu Agency (AA).
Seanca do të fillojë me bisedime në katër sy mes dy kryeministrave ku do të vijojë seanca plenare.
Qeverinë e Maqedonisë e përfaqësojnë kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministrat Bujar Osmani, Koço Agjushev si dhe ministrat Oliver Spasovski, Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov, Goran Sugarevski, Lupço Nikollovski, Damjan Mançevski, Suhejl Fazliu, Sadulla Duraku, Kire Naumov dhe Dragi Rashkovski.
Nga ana bullgare në seancë do të marrin pjesë zëvendëskryeministrat Tomisllav Donçev, Krasimir Karakaçanov dhe Eketarina Zaharieva, ministrat Valentin Radev, Nikollaj Nankov, Neno Dimov, Rumen Porozhanov, Ivajlo Moskovski, Emil Karanikollov, Temenuzhna Petkova dhe Nikolna Angellkova.
Në këtë seancë të përbashkët qeveritare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë pritet të nënshkruhen nëntë dokumente për bashkëpunim dypalësh në fushën e politikës së jashtme, investimeve, energjetikës, mbrojtjes, turizmit, telekomunikimeve, infrastrukturës dhe për reagime gjatë katastrofave natyrore.
Gjatë seancës duhet të nënshkruhet edhe memorandum për mirëkuptim mes Ministrisë së Transportit, Teknologjisë Informatike dhe Komunikimit të Bullgarisë dhe Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Maqedonisë për uljen e tarifave ndërkombëtare për roaming për shërbime të telekomunikimeve, që e aprovuan dje qeveritë e të dy vendeve.
Marrëveshjet janë pjesë e përmbushjes së Marrëveshjes për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë të nënshkruar më 1 gusht të këtij viti në Shkup.
Është paraparë konferencë e përbashkët për media të dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Bojko Borisov.
Para fillimit të seancës plenare kryeministrat Zaev dhe Borisov do të vendosin lule para monumentit të ish-presidentit Boris Trajkovski.
Kjo është seanca e parë ndërqeveritare që e mban Qeveria e kryeministrit Zaev me qeverinë e shtetit fqinj. Në dhjetor në Pogradec është dakorduar edhe seancë e përbashkët qeveritare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Zaev në Beograd është dakorduar edhe seancë e përbashkët mes Qeverive të Maqedonisë sdhe Serbisë, e cila duhet të mbahet nga fundi i shkurtit apo në fillim të marsit të vitit të ardhshëm.