Adel Ömeragiç
12 Prill 2017•Përditësim: 13 Prill 2017
PODGORICË (AA) – Përfaqësuesi i Këshillit për Forcat e Armatosura të Senatit amerikan John McCain ka porositur sot nga Podgorica e Malit të Zi se ndërhyrja e Rusinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në mbarë botën, është e papranueshme. Ai uroi Malin e Zi që ka vendosur të jetë pjesë e NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Senatori McCain qëndron sot për vizitë zyrtare në Malin e Zi ku bisedoi me kreun më të lartë shtetëror të këtij vendi. McCain shkurt u takua edhe me ushtarët e Malit të Zi, të cilët kanë marrë pjesë në misionet në Afganistan.
Në konferencën për media, McCain theksoi se momentalisht më me rëndësi është që të sigurohet stabiliteti në botë.
“Unë jam këtu për disa arsye, por njëra prej tyre është se dëshiroj që t’i uroj qytetarët e Malit të Zi të cilët vendosën që së bashku me liderët e tyre të jenë pjesë e NATO-s. Mendoj se është shumë me rëndësi dhe kur shikoni gjithçka që po ndodh në botë, të gjitha trazirat, atëherë me rëndësi është të sigurojmë stabilitet. Kjo është me rëndësi për NATO-n tani dhe në çdo moment. Këtu jam sepse jam i bindur se sjellja e Rusisë në rajon dhe botë nuk është e pranueshme në kohëra të tilla. Besoj se sjellja e Rusisë kërkon solidaritetin dhe forcën tonë, në mënyrë që të ruajmë parimet dhe vlerat themelore të demokracisë", tha McCain.
Ai tha se Rusia ka tentuar që të ndikojë në proceset zgjedhore dhe demokratike në disa vende. “Siç e dini, Rusia ka tentuar që të ndryshojë epilogun e zgjedhjeve në Amerikë. Nuk arritën në atë, por ka dëshmi se rusët tentuan që të minojnë proceset demokratike edhe në pjesët tjera të botës. Jam i bindur se aleanca jonë është forcuar. Besoj në miqësinë tonë, besoj në marrëdhëniet tona ushtarake. Kjo është ajo demokraci funksionale e cila sipas mendimit tim duhet të paraqet model për pjesën tjetër të botës”, theksoi McCain.
Senatori amerikan në Mal të Zi arriti sot në mëngjes, pas vizitës në Sarajevë. Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi Predrag Boshkoviç, pas takimit me senatorin McCain, tha se ai mbështet Malin e Zi në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së si dhe në zbatimin e reformave.
Ai porositi se nevojitet që rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën kujdes të veçantë të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa është i bindur edhe në ardhmërinë e të gjitha vendeve të rajonit në integrimet euroatlantike. Senatori McCain bisedoi sot edhe me presidentin malazez Filip Vujanoviç dhe kryeministrin Dushko Markoviç.
Në kuadër të turnesë nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, McCain ditëve të kaluara vizitoi Slloveninë, Kroacinë, Serbinë dhe BeH-në.