Admir Fazlagikj
26 Korrik 2017•Përditësim: 26 Korrik 2017
SHKUP (АА) – Me një varg aktivitete informative, edukative dhe kulturore dhe manifestime sot në Shkup shënohet 54 vjetori i tërmetit katastrofal në vitin 1963, në të cilin 1.070 persona humbën jetën, ndërsa 3.000 u lënduan, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të shënimit, delegacione zyrtare dhe përfaqësues të institucioneve sot do të vendosin kurora me lule në varrezat e qytetit në Butel, para përmendores së vitkimave nga tërmeti katastrofal.
Prej orës 9 e deri në ora 17 në Shtëpinë e organizatave humanitare "Dare Xhambaz" do të realizohet aksion tradicional i dhurimit të gjakut i Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski dhe sekretarja e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana Paunovska do të marrin pjesë në kapacitetin e zgjeruar të Pikës për të pastrehët - Monin Potok.
Trajanovski sonte në Muzeun e Qytetit të Shkupit, me fillim në ora 20:00 do të hapë ekspozitën "Shkupi - arhiTRANSforma-Arhibelezi të arkitekteve Jasmina dhe Ekaterina Namiçevi dhe "Concrete memories", fotografi të Matias Shuman, Drezden, Gjermani.
Në ekspozitën "ArhiTRANSforma-Archibelezi" nga arkitektët Jasminka dhe Ekaterina Namiçeva, përmes dokumenteve të prezentuara arkivuese, fotografi dhe rikonstruktime të ndërtimeve është bërë skema e objekteve shkollore në Shkup, të ndërtuara në periudhën midis dy luftërave botërore (1918-1941).
Nën moton "Shkupi e feston jetën" më 26 korrik me fillim në ora 21:00 në sheshin "Maqedonia" do të interpretojë Big Bendi i RTVM-së si dhe artistë të ndryshëm.
Tërmeti katastrofal ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në ora 05:17, ndërkaq dridhje më të vogla të tokës pati deri në ora 05:43. Tërmeti i Shkupit u ndie në hapësirë prej rreth 50.000 kilometra katrorë. Nga tërmeti u shembën 15.800 banesa, ndërkaq u dëmtuan 28.000. Mbi 200 mijë njerëz mbetën pa kulm mbi kokë.
Nga tragjedia në Shkup u shqetësua dhe u angazhua mbarë bota. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha organizatave nacionale të organizojnë ushqim për fëmijët e Shkupit. Unioni interparlamentar dërgoi rekomandim tek të gjitha parlamentet dhe qeveritë që të ndihmojnë në riparimin e qytetit.
Organizatat humanitare në shumë vende iu qasën grumbullimit të ndihmave për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.