Besar Ademi
27 Prill 2017•Përditësim: 28 Prill 2017
SHKUP (AA) - Shumica parlamentare e Kuvendit të Republikës se Maqedonisë e përbërë nga 69 deputetë nga gjithsej 120, janë çuar në këmbë duke kërkuar që të votohet për të kaluar në pikën për zgjedhjen e kryetarit te ri te kuvendit, raporton Anadolu Afency (AA).
Ata duke brohoritur "votoni", "burgu nuk ju ikë"... kërkuan që kryesuesi i seancës, ish-kryetari i kuvendit, Trajko Veljanoski ta kalojë në votim pikën për zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit.
Ndërkohë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së janë ngritur në këmbë për të penguar votimin e pikës së zgjedhjes së kryetarit, ndërsa nga shumica parlamentare kërkojnë që ato të lëshojnë sallën, pasi që shumica parlamentare përbëhet edhe pa ata.
Sipas LSDM-së shumica parlamentare e cila është e përbërë prej 69 deputetësh ka të drejtë të kalojë në pikën për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja thonë se veprimi i tillë është jashtë rregullores dhe nuk mund të kalohet në pikën tjetër para se të përfundojë pika paraprake.
Më herët kreu i LSDM-së paralajmëroi se shumica parlamentare mund të zgjedh kreun e kuvendit në çdo salle të kuvendit, përfshirë edhe jashtë hapësirave të kuvendit. Mirëpo një veprim i tillë, nga deputeti i VMRO-DPMNE-se, Antonio Milloshoski, u konsiderua se është thirrje për konflikt, që sjellë tensione dhe grusht shteti. Ai kërkoi që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbahen së bashku me ato lokale.
Pas himnit të Maqedonisë nga VMRO-DPMNE, deputet i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, në foltoren e kuvendit te Maqedonisë këndoi edhe himnin e Republikës së Shqipërisë.
Ndryshe, seanca konstituive filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre për shkak se nuk ishte siguruar shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë.