Fatjon Cuka
14 Shkurt 2019•Përditësim: 15 Shkurt 2019
TIRANË (AA) - Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është përfshirë nga tensionet pasi është hedhur bojë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, Edi Paloka, ka hedhur bojë ndaj kryeministrit Rama, duke shkaktuar më pas tensione në sallën e seancave plenare.
%2F20190214_2_34936363_41666931.jpg)
Kryeparlamentri i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, pas tensioneve ka përjashtuar nga punimet e seancës deputetin Paloka, por ai ka refuzuar të largohet, ndërsa më pas seanca parlamentare është ndërprerë për disa minuta.
Ndërkohë Byroja e Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me incidentin në seancë ka vendosur përjashtimin për 10 ditë të deputetit Edi Paloka nga punimet e Parlamentit.
- Reagime për tensionet në seancë
Në lidhje me tensionet dhe hedhjen e bojës ndaj kryeministrit Rama në seancën parlamentare, kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët Garda e Republikës së Shqipërisë dhe Policia e Shqipërisë.
“Sot, në sallën e seancave të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Edi Paloka ka sulmuar me një solucion kimik të parapërgatitur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Garda e Republikës me mbështetjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka”, thuhet në deklaratën e Gardës dhe Policisë të publikuar nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë.
Ndërkohë ka reaguar edhe kryeministri Rama, i cili në rrjetet sociale shkruan: “Faleminderit për mesazhet e solidaritetit, po s'më shqetëson hiç boja se me bojërat jam rritur e mësuar. Më shqetëson mendja e shpirti katran i palopërfaqësuesve të një populli që s'i meriton këta zorzopë. Prandaj jo që s'i hap rrugë budallallëkut, po veç më rritet pasioni e vendosmëria”.
Rreth tensioneve ka reaguar edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht zëdhënësja e Qeverisë së Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila në një deklaratë për mediat tha se të gjithë shqiptarët duhet të jenë në një zë që akte të tilla të mos përsëriten.
“Basha dhe opozita nuk duhet të ngatërronte mexhliset, sepse aty në Parlament kishte studentë të fakulteteve shqiptare që prisnin nga ajo seancë solemnitet dhe seriozitet dhe u bënë dëshmitarë të një shfaqjeje të turpshme. Në rast se do ishte vetëm një deputet, i cili hedh bojë në Kuvendin e Shqipërisë mbi kryeministrin e vendit, një deputet i njohur për defiçencat e tij, sigurisht ne nuk do merreshim me të sot, por ai është mishërimi më i qartë i vizionit, i lidershipit dhe i frymëzimit opozitar”, deklaroi Spiropali.
Pas tensioneve dhe rifillimit të seancës parlamentare, u miratua projektligji “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 138 deputetë të pranishëm në seancë.
I pranishëm në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, ishte edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.