Sibel Vezaj
30 Gusht 2018•Përditësim: 30 Gusht 2018
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka realizuar një bisedë telefonike me ndihmës-sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin ka biseduar për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në rrjete sociale, presidenti Thaçi ka thënë se gjatë bisedës ka falënderuar ndihmës-sekretarin Mitchell për qëndrimin e qartë të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të fazës së fundit të dialogut.
“Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi.
Duke vënë në dukje se ndihmës-sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë proces, Thaçi ka shtuar se, “Përfshirja e SHBA-së dhe partnerëve tjerë strategjikë të Kosovës në fazën e fundit të dialogut, të lehtësuar nga BE-ja, është një garanci për suksesin e plotë dhe arritjen e një marrëveshjeje historike”.
Ndërkaq, sot Thaçi ka biseduar edhe me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, si dhe ambasadorin Kyle Scott, i cili është shef i misionit diplomatik amerikan në Beograd. Në një postim tjetër nga Thaçi thuhet se temë edhe e këtyre bisedave ishte gatishmëria e Kosovës për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne biseduam edhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje finale, e cila duhet të përmbyllet me njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në BE, NATO dhe OKB”, ka nënvzuar Thaçi duke shtuar se “është mirënjohës për mbështetjen e përhershme amerikane, por edhe për pozicionin e qartë pro arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë kohëve të fundit ka sjellë në rend dite çështjen se Kosova duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë.