ATHINË (AA) - FURKAN NACİ TOP / FİLYO KONGO
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras tha se respekton vendimet e gjyqësorit në lidhje me ekstradimin e puçistëve të cilët u arratisën në Greqi pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016 në Turqi. "Përtej kësaj pike qëndrimi im ka qenë gjithmonë i qartë. Puçistët nuk mirëpriten në Greqi. Në këtë kuadër ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Turqinë në fushën e sigurisë dhe gjyqësorit", deklaroi kryeministri grek.
Tsipras ka dhënë disa deklarata për gazetarin e Anadolu Agency (AA) para vizitës që do të zhvillojë presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan më 7-8 dhjetor në Greqi.
Ai ka rikujtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve pas tërmeteve në fillim të vitit 2000 në Turqi dhe Greqi janë ndërtuar në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe bashkëpunimit ekonomik.
"Sot po kalojmë në një kohë ku në rajonin tonë dhe në Evropë kemi vështirësi të rëndësishme me stabilitetin, sigurinë, migrimin dhe ekonominë e rajonit. Turqia dhe Greqia, të vendosura në udhëkryqin e tre kontinenteve, duhet të jenë në gjendje të tejkalojnë këto sfida dhe të shfrytëzojnë mundësitë për rajonin. Në këtë kontekst, është më e rëndësishme se kurrë për të zhvilluar dimensionin dypalësh të dialogut dhe marrëdhënieve tona", tha Tsipras.
Ai tha se para së gjithash duhet të avancojmë bashkëpunimin pozitiv në lidhje me ekonominë dhe komunikimin mes popujve tanë. Sipas tij, marrëveshja e migracionit BE-Turqi, si dhe marrëveshja dypalëshe e ripranimit duhet të vazhdojë të zbatohet sa më efektivisht.
"Në të njëjtën kohë, ka projekte të rëndësishme në rrjetet e transportit, energjisë, tregtisë, kulturës dhe turizmit. Projekti i linjës TAP-TANAP po përparon me shpejtësi dhe ka negociata për projekte të ndryshme të gazit natyror. Në të ardhmen e afërt, ne do të mund të nisim udhëtimet me anije midis Selanikut dhe Izmirit. Ne do të jemi në gjendje të rihapim linjën e trenit mes Selanikut dhe Stambollit dhe të punojmë në projektet e ardhshme të transportit", theksoi Tsipras duke vënë në dukje se këto dëshirojnë ti kryejnë nga të dyja anët.
"Vizita e Erdoğanit na jep mundësinë për të marrë hapa të guximshëm"
Kryeministri grek më tej tha se Egjeu dhe Mesdheu duhet të jenë detet e paqes dhe dialogut, jo të tensionit dhe konfliktit dhe se marrëdhëniet duhet të zhvillohen në bazë të të drejtës ndërkombëtare, Traktatit të Lozanës dhe respektit të ndërsjellë. Tsipras duke mbrojtur idenë e tij se shkeljet e hapësirës ajrore dhe rritja e provokimeve rrisin rrezikun e incidenteve thotë se "Është koha e duhur që të rigjallërojmë bisedimet tona mbi Masat për Ndërtimin e Besimit dhe Negociatat Eksploruese".
Ndërsa në lidhje me problemin e Qipros, Tsipras tha se "Është e rëndësishme që të dërgojmë një mesazh mbështetjeje në Qipro për rifillimin e negociatave për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme bazuar në rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB). Këto negociata duhet të rifillojnë kur dy komunitetet të jenë gati dhe duhet të përgatiten në mënyrë që të garantojnë suksesin".
Ai vuri në dukje se kriza e emigrantëve është dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit dypalësh dhe bashkëpunimit midis BE-së dhe Turqisë. Tsipras shtoi se po ndjekin me interes të madh procesin e Astanas, ku Turqia është në mënyrë aktive e përfshirë për sjelljen e paqes në Siri.
Tsipras ka potencuar se kohët e fundit ka pasur disa probleme dhe momente të vështira në marrëdhëniet mes dy vendeve. "Ne duhet të veprojmë në drejtimin e mbështetjes së ndërsjellë që popujt tanë kanë treguar me kalimin e kohës, siç janë fatkeqësitë natyrore, kriza ekonomike në Greqi, sulmet terroriste dhe përpjekja e grusht-shtetit të pabesë në Turqi. Besoj se vizita e Presidentit të Turqisë, e cila është e para pas disa dhjetëra vjetësh, është një mundësi e rëndësishme për ne që të ndërmarrim hapa të mëdhenj për të ardhmen", tha ai.
"Puçistët nuk mirëpriten në Greqi"
Në vijim kryeministri Tsipras tha se do të respektohen vendimet gjyqësore në lidhje me ekstradimin e puçistëve të grusht shtetit që u arratisën në Greqi pas përpjekjes së grusht shtetit të 15 korrikut në Turqi. "Përtej kësaj pike, qëndrimi im ka qenë gjithmonë i qartë: Puçistët e grusht shtetit nuk mirëpriten në Greqi. Në këtë kontekst, ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me (Turqinë) në fushën e sigurisë dhe drejtësisë", tha ai.
Tsipras tha populli turk dhe ai grek treguan solidaritet në krizën e refugjatëve. "Është shumë shqetësuese që po rriten fokusimet e të djathtës ekstreme në Evropë. Përgjigjja më e mirë për këto fokusime që janë duke përdorur racizmin dhe islamofobinë është dhënë nga populli grek gjatë krizës së refugjatëve. Ashtu si populli turk, edhe populli grek ka treguar solidaritetin dhe mikpritjen e tyre përkundër vështirësive që hasin në jetën e tyre të përditshme", tha kryeministri grek.
"Procesi i pranimit të Turqisë në BE është më i rëndësishëm se kurrë"
Tsipras potencoi se problemet e migrimit dhe sigurisë e bëjnë më të rëndësishme mbrojtjen e marrëdhënieve BE-Turqi në një mënyrë reciprokisht të dobishme. "Në këtë kontekst, procesi i pranimit të Turqisë dhe dialogu BE-Turqi sot janë më të rëndësishme se kurrë. Ne jetojmë krah për krah me njëri tjetrin. Ne si grekë, mbështesim demokracinë në Turqi dhe një Turqi të orientuar drejt Evropës. Unë besoj se BE duhet të jetë e qartë në qëndrimin dhe angazhimet e saj dhe se Turqia duhet të përcaktojë drejtimin e saj pas një periudhe të vështirë", tha ai.
Duke përkujtuar që konsensusi BE-Turqi ishte një nismë e nevojshme pas mbylljes së njëanshme të "Rrugës Ballkanike" të refugjatëve, Tsipras tha se "Turqia duke përmbushur angazhimet e saj dhe duke reduktuar rrjedhën e migrimit në Egje ajo ka treguar angazhimin ndaj kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, situata në ishujt e Egjeut Lindor është ende e vështirë. Krahas presidentit Erdoğan do të diskutoj për zbatimin e marrëveshjes edhe me liderët e BE-së".
Ndër të tjera kryeministri grek Tsipras ka kritikuar se disa vende të BE-së çështjen e migracionit e shohin si problem të "Mesdheut" për të shtuar se "Kjo i shërben vetëm forcimit të të djathtës ekstreme. Kjo i shërben largimit të vendeve si Greqisë dhe Turqisë e cila ka pritur 3 milionë refugjatë sirianë".
"Greqia është e gatshme të hyjë në një epokë të re të zhvillimit duke lënë pas krizën ekonomike", tha Tsipras, duks shtuar më tej se "Tashmë, shumë investitorë turq janë duke ndjekur nga afër mundësitë e mëdha në pasuri të patundshme, ndërtimin e anijeve, turizëm, infrastrukturë dhe fushën e energjisë".
"Me Presidentin Erdoğan do të diskutoj mbi bashkëpunimin tonë dypalësh ekonomik, veçanërisht në kuadër të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë që do të mbahet në muajin shkurt në Selanik dhe mundësisht në kuadër të forumit të biznesit", tha Tsipras.
news_share_descriptionsubscription_contact
