Besar Ademi
08 Gusht 2017•Përditësim: 09 Gusht 2017
SHKUP (AA) – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, priti në një takim kryetarin e Kuvendit të 44-të Popullor të Republikës së Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, në të cilin u konstatua se vazhdon të zhvillohet bashkëpunimi pozitiv mes dy vendeve, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kryeministria e Maqedonisë thuhet se në pritje të ratifikimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, në Kuvendet e të dyja vendeve tashmë janë krijuar kontakte mes biznesmenëve nga të dy vendet, gjë e cila siç theksohet, do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik në këto dy shtete fqinje dhe mundësi të hapura për bashkëpunim në disa fusha, të tilla si bujqësia dhe kultura.
“Marrëveshja hap perspektiva për Maqedoninë dhe Bullgarinë, ndërsa do të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Avancimi i dy vendeve fqinje, i Maqedonisë dhe i Bullgarisë, dërgoi një mesazh të fuqishëm në rajon dhe më gjerë, se vendet vetë mund t’i tejkalojnë të gjitha çështjet e pazgjidhura, nëse ekziston vullnet i sinqertë politik”, ka thënë kryeministri Zaev.
Në vijim të njoftimit theksohet se Zaev ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen nga Bullgaria në perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë. “Vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE. Bullgaria mbështet Maqedoninë në atë rrugë”, është shprehur Gllavçev.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të 44-të Popullor të Republikës së Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, ka theksuar se marrëveshja e nënshkruar ka hapur faqe të re në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se tani është radha e Kuvendeve të kontribuojnë në thellimin e këtij bashkëpunimi.
Në fund të njoftimit theksohet se në takim bashkarisht është konstatuar se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për të ardhmen euro-atlantike, e cila i nevojitet tërë Ballkanit dhe se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë janë shembull i mirë për atë.
Gllavçev qëndron në Maqedoni për vizitë pune, përkatësisht për thellimin e bashkëpunimit pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Më herët, ai zhvilloi takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Nga kabineti i kryeparlamentarit të Maqedonisë njoftojnë se Xhaferi në takim ka theksuar se ka ardhur momenti për fillimin e faqes së re në marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe i është falënderuar homologut të tij bullgar për mbështetjen e Maqedonisë nga Bullgaria.
Ai, gjithashtu, e ka përshëndetur bashkëpunimin e shkëlqyer mes kryetarëve dhe deputetëve të të dy Kuvendeve në të gjitha mandatet e njëpasnjëshme.
“Kjo do të intensifikohet në të ardhmen, veçanërisht në dritën e marrëveshjes së nënshkruar për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim nga kryeministrat e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bulgarisë”, ka thënë Xhaferi.
Ndërkaq, Gllavçev në takim ka vlerësuar se me nënshkrimin e marrëveshjes fillon një histori e re në marrëdhëniet e të dyja vendeve, ndërsa ka shpreh bindje se Kuvendi Popullor i Republikës së Bulgarisë, përsëri do ta jap mbështetjen me ratifikimin e marrëveshjes, gjithashtu, edhe mbështetjen për proceset demokratike në Republikën e Maqedonisë dhe për nënshkrimin e marrëveshjes.
“Me marrëveshjen hapen horizontet e reja për bashkëpunim në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe ndërmjet të dyja Kuvendeve në nivel të komisioneve dhe grupeve për bashkëpunim, në temat me interes reciprok dhe me interes për Republikën e Maqedonisë dhe përmbushjen e kritereve për integrimin e saj euroatlantik", ka deklaruar Gllavçev.
Në fund të njoftimit thuhet se Gllavçev ka ftuar kryeparlametarin Xhaferi të marrë pjesë në ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvendin Popullor të Republikës së Bullgarisë.