Bekim Laci
12 Qershor 2017•Përditësim: 12 Qershor 2017
SHKUP (AA) - Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili po qëndron për vizitën e tij të parë zyrtare në Bruksel, sot ka takuar kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Kryeministria e Maqedonisë, Zaev i ka thënë Mogherinit se vizita e parë e tij me ministrat përgjegjës për realizimin e prioriteteve nga politika e jashtme, flasin për përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë për përshpejtimin e procesit euro-integrues.
"Në interes të qytetarëve të Maqedonisë është nisma për një dinamikë të re në procesin e integrimit në BE. Qëllimi ynë është që deri në vjeshtë të sigurojmë një përparim të mjaftueshëm në fushat kryesore të reformave, të cilat do ti japin argumente të mjaftueshme Komisionit Evropian që të dorëzojë një raport të ri para shteteve anëtare, me rekomandim të përtërirë për fillimin e negociatave me Maqedoninë", tha kryeministri Zaev.
Mogherini nga ana e saj ka shprehur përkrahjen e plotë për "përpjekjet reformuese të qeverisë së re të Maqedonisë" duke shtuar se vendi mund të llogarisë BE-në për një aleat të saj gjatë zbatimit të reformave, të cilat do ti kthehen Maqedonisë në mënyrë pozitive.

Në takimin e ndarë me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, kryeministri Zaev ka falënderuar për sinjalet pozitive të cilat i vijnë Maqedonisë nga institucionet evropiane.
"Ky është një stimul i fortë për qeverinë që në bashkëpunim me Brukselin, të ndërmarrë reformat e nevojshme për të zhbllokuar rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, ka thënë Zaev.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, përshëndeti formimin e qeverisë së re në Maqedoni, duke shtuar se kjo është një mundësi e madhe për të lëvizur përpara aspiratat euroatlantike.
Tusk shprehu shpresën e tij se përmes një pune të përkushtuar dhe dialogu ndër-etnik dhe ndër-partiak vendi do të përmirësojë reputacionin e tij.
Zaev, i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrat Bujar Osmani dhe Radmilla Shekerinska, si dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov në Bruksel duhet të takohet edhe me komisionerin për politikë fqinjësore evropiane dhe negociata për zgjerim, Johanes Han dhe pastaj në selinë e NATO-s edhe me sekretarin e përgjithshme të Aleancës, Jens Stoltenberg.