Fatjon Cuka
26 Korrik 2017•Përditësim: 26 Korrik 2017
TIRANË (AA) - Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri është takuar sot me zyrtarë të lartë të vendit, ku në fokus ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, nxitja e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, zhvillimet në Ballkan, etj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zaharieva fillimisht është takuar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se duke vënë në dukje se Bullgaria është një partnere e qëndrueshme e Shqipërisë, Meta dhe Zaharieva ndanë të njëjtën pikëpamje për nxitjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare dhe rrugën e projekteve të përbashkëta rajonale zhvillimore.
“Presidenti Meta përshëndeti rolin e Bullgarisë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në kuadër të nismave dhe organizatave rajonale në funksion të qëndrueshmërisë, zhvillimit dhe orientimit euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Meta nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes nga ana e Bullgarisë për procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian si dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare si UNESCO, INTERPOL, EUROPOL, etj”, theksohet në njoftim.

Zaharieva u takua gjatë ditës së sotme edhe me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati. “Dy ministrat veçuan interesin e përbashkët për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të projekteve zhvillimore si dhe nevojën për një koncept strategjik të ndërlidhjes energjetike dhe infrastrukturore mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, në funksion të kohezionit ekonomik rajonal, në dritën edhe të arritjeve dhe të objektivave që u projektuan në Samitin e fundit të Triestes”, theksohet në njoftimin zyrtar nga MPJ e Shqipërisë.
Sipas njoftimit, gjatë takimit, Bushati dhe Zaharieva biseduan edhe për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si edhe në lidhje me zhvillimet në rajon.