Marrëveshja Shqipëri-Itali, mbërrin në Shëngjin një grup i emigrantëve
Emigrantët, ndaj të cilëve është vendosur riatdhesimi në vendin e tyre të origjinës nga autoritetet italiane, do të qëndrojnë në kampin në Gjadër, në Qarkun e Lezhës, në pritje të procedurave të tjera ndaj tyre

Lezhë
Në Shqipëri ka mbërritur një grup prej dhjetëra emigrantësh, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, raporton Anadolu.
Raportohet se Anija "Libra" me 40 emigrantë të kombësive të ndryshme të transferuar nga Italia ka mbërritur fillimisht në Portin e Shëngjinit.
Emigrantët, ndaj të cilëve është vendosur dëbimi dhe riatdhesimi në vendin e tyre të origjinës nga autoritetet italiane, do të qëndrojnë në kampin në Gjadër, në Qarkun e Lezhës, në pritje të procedurave të tjera ndaj tyre.
Gjithashtu raportohet se emigrantët janë nga Tunizia, Egjipti, Bangladeshi, Nigeria, Pakistani, Algjeria, Gjeorgjia dhe Moldavia, ndërkohë që nga autoritetet shqiptare nuk ka ndonjë reagim zyrtar për transferimin sot të emigrantëve.
Marrëveshja mes dy vendeve është riaktivizuar pas një dekreti të qeverisë italiane, që lejon transferimin në qendrat në Shqipëri, jo vetëm të azilkërkuesve të kapur në det, por edhe të emigrantëve të parregullt, ndaj të cilëve është vendosur për dëbimin e tyre.
Disa grupe emigrantësh që mbërritën më parë në kampet në Qarkun e Lezhës, u rikthyen përsëri në Itali pas vendimit të gjykatave italiane.
- Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.