BALLKANI

“Shqipëria është një ofruese e rëndësishme e sigurisë për Ballkanin Perëndimor”

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Marketa Pekarova Adamova, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë

Fatjon Cuka  | 25.11.2024 - Përdıtësım : 25.11.2024
“Shqipëria është një ofruese e rëndësishme e sigurisë për Ballkanin Perëndimor” Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Marketa Pekarova Adamova, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë ka theksuar se Shqipëria është një ofruese e rëndësishme e sigurisë për Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu.

Adamova u shpreh se e njohin rëndësinë e mbajtjes së dialogut të rregullt dhe kuptimplotë dypalësh.

"Shqipëria nuk është vetëm një vend mik dhe aleat, por është gjithashtu një demokraci e gjallë, me një ekonomi në rritje të shpejtë", tha Adamova.

Ajo shtoi se së bashku me kryeparlamentaren Elisa Spiropali vlerësuan marrëdhëniet Çeki-Shqipëri, duke u ndalur sipas saj veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik.

"Tregtia jonë dypalëshe është e krahasueshme, por edhe e tejkalon atë të partnerëve të tjerë evropianë", u shpreh Adamova.

Adamova tha se Republika Çeke është një mbështetëse e vazhdueshme dhe e sinqertë e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, ajo tha se "Rusët bëjnë një luftë agresioni kundër Ukrainës” dhe shtoi se Rusia përpiqet “të destabilizojë Moldavinë dhe të ushtrojë ndikimin malinj në Ballkanin Perëndimor”.

Adamova tha se përpjekjet e përbashkëta do të kontribuojnë më tej në sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Çekisë realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë u takua edhe me kryeparlamentaren Elisa Spiropali.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.