BALLKANI

Ambasada e Türkiyes në Tiranë organizon pritje me rastin e Ditës së Fitores

Në pritjen ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të institucioneve të ndryshme shqiptare, diplomatë të vendeve të ndryshme dhe personalitete nga fusha të ndryshme

Fatjon Cuka  | 30.08.2024 - Përdıtësım : 31.08.2024
Ambasada e Türkiyes në Tiranë organizon pritje me rastin e Ditës së Fitores Foto: AA/Olsi Shehu

Tiranë

Ambasada e Türkiyes në Tiranë ka organizuar një pritje zyrtare me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Ditës së Forcave të Armatosura Turke, raporton Anadolu.

Në pritjen e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë, nën kujdesin e ambasadorit turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay dhe atasheut ushtarak të Türkiyes në Shqipëri, kolonel Tolga Kip, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të institucioneve të ndryshme shqiptare, diplomatë të vendeve të ndryshme dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Pas intonimit të himneve kombëtare të të dy vendeve nga Orkestra Frymore e Forcave te Armatosura të Shqipërisë, u shfaq edhe një video për Forcat e Armatosura Turke.

Gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi i presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.

Ambasadori Atay në fjalën e tij u shpreh se Fitorja e Madhe e arritur më 30 gusht 1922 ka qenë një pikë kthese në historinë turke.

"Kjo fitore unike hapi edhe rrugën deri në lindjen e Republikës moderne Turke. Republika e re më pas përqafoi një vizion paqeje", tha Atay.

Ambasadori turk u shpreh se me kontributet e saj të trupave në KFOR në Kosovë dhe EUFOR në Bosnje dhe Hercegovinë, Forcat e Armatosura Turke janë sot duke ndihmuar në ruajtjen e paqes në rajon.

Atay tha se po ndajnë produktet moderne të industrisë së mbrojtjes me aleatët dhe shtoi se partneri strategjik Shqipëria është një prej këtyre aleatëve, duke iu referuar edhe dronëve "Bayraktar" TB2, që janë bërë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ambasadori Atay theksoi se përpjekjet e Türkiyes për të ndihmuar transformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare do të vazhdojnë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın