BALLKANI

Arrestohet ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Gjithashtu edhe për bashkëshorten e ish-presidentit Meta, Monika Kryemadhi, të cilët janë në proces divorci, është vendosur masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, pasi akuzohet për të njëjta vepra penale si Meta

Fatjon Cuka  | 21.10.2024 - Përdıtësım : 22.10.2024
Arrestohet ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Tiranë

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar gjatë ditës së sotme, sipas autoriteteve i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit "CEZ-DIA" dhe për kontrata lobimi në SHBA, transmeton Anadolu.

Gjithashtu edhe për bashkëshorten e ish-presidentit Meta, Monika Kryemadhi, të cilët janë në proces divorci, është vendosur masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, pasi akuzohet për të njëjta vepra penale si Meta.

Në një njoftim për mediat nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) thuhet se Meta është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

"Janë dokumentuar disa episodem ku subjektet e këtij procedimi penal I. M. (Ilir Meta) dhe M. K. (Monika Kryemadhi) në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale. Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale", thuhet në njoftim.

Sipas SPAK-ut, është provuar se Meta si ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, post të cilin e ka mbajtur disa vite më parë, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet një kompanie dhe kompanisë CEZ Shpërndarje (ish-kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri), kontratë e cila kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Gjithashtu në njoftim thuhet se nga hetimet ka rezultuar se Meta në sajë të funksionit të tij si kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij si deputete kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore, si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis disa kompanive.

Më tej, thuhet se çifti Meta-Kryemadhi kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, duke përfituar sipas SPAK-ut përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë.

Sipas SPAK-ut, përgjatë periudhës 2016-2017, Meta, me cilësinë e kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi në SHBA me një kompani, që sipas autoriteteve nuk janë deklaruar.

Në njoftim, ndër të tjera, theksohet se nga hetimi ka rezultuar se Meta dhe Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019.

Në lidhje me arrestimin e Metës, ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë në përgjigje të reagimeve për mënyrën e arrestimit. Sipas njoftimit të policisë, Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka "lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë".

"Bazuar në procedurën e parashikuar nga rregullorja, ai(Meta) është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht", thuhet në njoftimin e policisë.

Karriera politike e Metës

Ilir Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, është arrestuar sot në Tiranë. Ai ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.

Gjatë periudhës nëntor 1999-shkurt 2002 ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Nga shtatori 2013 deri në prill 2017, ai ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Në periudhën korrik 2017-24 korrik 2022, Meta ka qenë president i Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, Meta ka mbajtur dhe disa poste ministrore në disa qeveri të Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın