BALLKANI

As në përpjekjen e tetë nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës

Nga 110 deputetë të pranishëm në sallë, pro Haxhiut për kryeparlametare votuan 54 deputetë, 44 votuan kundër dhe 3 abstenuan

Agim Sulaj  | 29.04.2025 - Përdıtësım : 29.04.2025
As në përpjekjen e tetë nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës

Prishtinë

Ka dështuar përsëri, për herë të tetë me radhë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Deputetët e betuar të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit më 19 prill, nuk i dhanë mbështetje propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ripropozoi kandidaten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Nga 110 deputetë të pranishëm në sallë, pro Haxhiut për kryeparlametare votuan 54 deputetë, 44 votuan kundër dhe 3 abstenuan.

"Në bazë të kësaj, detyrohemi ta ndërpresim seancën, shihemi të enjten, më 1 maj, në orën 10:00", tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Partitë opozitare përsëriten qëndrimet e tyre se Lëvizja Vetëvendosje po e mbanë peng shtetin e Kosovës duke mos e ndërruar kandidaten për Kryetare të Kuvendit.

Kryetari i partisë së dytë më të madhe, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje po sillet me mentalitetin e njëjtë për tetë herë me radhë.

"E para, demokracia funksionon me shumicë. E dyta, institucionet janë të popullit. Dhe, e treta, koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që Lëvizja Vetëvendosje t'i kuptojë këto tre çështje, aq më mirë për vendin. Është e tepërt të sillemi këtu çdo 48 orë", tha Krasniqi.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, deri më tani Albulena Haxhiu ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.