Diyar Güldoğan
05 korrik 2019•Përditësim: 07 korrik 2019
Bashkimi Evropian (BE) sot theksoi përkushtimin për të forcuar bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor gjatë samitit në Poznan të Polonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryetarët e qeverive si dhe ministrat e Jashtëm, të Brendshëm dhe të Ekonomisë nga Ballkani Perëndimor bashkë me homologët e disa vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së do të takohen në Poznan nga data 3 deri më 5 korrik për të diskutuar bashkëpunimin mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
"Angazhimi ynë me Ballkanin Perëndimor është prioritet. Sot, të gjithë gjashtë partnerët në Ballkanin Perëndimor janë më afër Bashkimit Evropian në krahasim me kohën kur filluam mandatin tonë para pesë vitesh. Perspektiva evropiane mbetet shtytësi për reforma në rajon", tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Ajo po ashtu tha se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe pajtimi, janë kyçe dhe mbështesin integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Komisioneri për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se BE-ja rrit angazhimin për infrastrukturë të modernizuar, mbështet digjitalizimin, investon në rritjen e ekonomisë së gjelbër.
"Programet e BE-së do të sjellin përfitime të dukshme për njerëzit në Ballkanin Perëndimor dhe janë një hap tjetër i madh në lidhjet tona akoma më të afërta me rajonin", tha Hahn në një deklaratë.