BE-ja mirëpret vendimin e Kosovës për heqjen e kufizimit për produktet serbe në Merdarë
Zyra e BE-së në Kosovë tha se ky vendim është “në të mirën e njerëzve dhe të bizneseve”
Prishtinë
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme nga Serbia, të cilat hyjnë në pikën kufitare në Merdare, transmeton Anadolu.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Zyra e BE-së në Kosovë tha se ky vendim është “në të mirën e njerëzve dhe të bizneseve”.
“Mirëpresim heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdares. Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes”, thuhet në reagim.
Qeveria e Kosovës të hënën vendosi ta heqë kufizimin ndaj mallrave nga Serbia dhe ta ndryshojë atë me kontroll të shtuar në pikën kufitare në Merdare dhe jo në pikat e tjera kufitare me Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim u mor derisa të vijnë skanerët të cilët do të vendosën në pika kufitare.
“Në 7 ditët në vijim i kemi dy zhvillime të ndryshme, pasnesër është mbledhja e CEFTA-s, ndërsa sot një javë është në Procesin e Berlinit. Masat tona nuk kanë qenë dhe nuk janë asnjëherë tregtare, janë masa të sigurisë. Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare. Në njërën prej pikave tregtare po e bëjmë këtë ndryshim të masës”, tha Kurti të hënën.
Në javët e fundit, përfaqësues nga Gjermania konsideruan se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, i cili synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duke i afruar ato me BE-në.
Reagime rreth këtij vendimi ka pasur edhe nga Serbia. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se pret që autoritetet e Kosovës të “bëjnë më të mirën” për të parandaluar qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve serbe, pavarësisht heqjes së ndalesës për produktet serbe në pikëkalimin kufitar në Merdare. Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se mirëpret secilin vendim, që, sipas tij, përmirëson jetësen e serbëve në Kosovë.
Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e kaluar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.